`Lulëkuqja e Kosovës` simboli i propozuar për gjenocid mbi shqiptarët/Video
Sh.Gashi
Data 15 janar është përzgjedhur si ditë përkujtimit të gjenocidit që ka ndodhur në Kosovë dhe si simbolikë është quajtur “Lulëkuqja e Kosovës”. Kështu ka deklaruar njëri nga përfaqësuesit e UÇK-së dhe politikologu nga Maqedonia e Veriut, Bardhyl Mahmuti në emisionin Prime në RTK.
Ai tha se duke u nisur nga fakti që Kuvendi i Kosovës ka miratuar një rezolutë në vitin 2019 me të cilën përkufizohet si gjenocid ajo që ka ndodhur në Kosovë, prandaj edhe 15 janari është përzgjedhur si ditë e gjenocidit.
Në pyetjen se pse është zgjedhur 15 janari, Mahmuti tha se kjo është dita e njërës nga masakrat më të tmerrshme, asaj të Reçakut.
“Për arsye se krimi i akti gjenocidal që ka ndodhur në Reçak ka pasur një ndikim të jashtëzakonshëm në mobilizimin e qarqeve ndërkombëtare. Që të organizohet konferenca e Rambujesë dhe të përpiqen që ti japin fund njëherë dhe përgjithmonë zbatimit të politikës së gjenocidit në Kosovë”, deklaroi Mahmuti.
Ndërsa Bujar Dugolli, profesor universitar, tha se është e nevojshme që në çdo forum të ketë deklarata që flet për gjenocidin që ka ndodhur në Kosovë.
“Ne kemi nevojë të gjithë aktorëve t’ua rikujtojmë në secilën forum ndërkombëtarë, në secilin konferencë për shtyp, që agresori dhe politika gjenocidale nuk është ndëshkuar në Ballkan dhe historia na mëson se nëse drejtësia nuk shkon në vend, ajo mund të përsëritet”, deklaroi Dugolli.
Në këtë intervistë ishte edhe Adnan Asllani, dizajner i lulëkuqes që simbolizon gjenocidin.
“Lulëkuqja rritet në Kosovë, e shumë kush e njeh si lulja e gjakut dhe ne pikërisht për shkak të ngjyrave që ajo ka që lidhen më ngjyrat e flamurit tonë, kemi dashur që me fillim të tregojmë përmes lulëkuqes simbolikën e ngjashme që i përkujtojnë viktimat e rëna nëpër lufta”, tha Asllani, i cili e ka dizajnuar edhe logon e UÇK-së.























