Chollet: Palët në dialog të vendosin interesat e qytetarëve në plan të parë
B. H. / RTKlive
Këshilltari i Lartë i Departamentit Amerikan të Shtetit, Derek Chollet, ka thënë se vizita e tij në Kosovë dhe Serbi nuk ka të bëjë me dhënien e ultimatumeve, por për t’i dhënë mbështetje të fortë dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja.
“Nuk erdha këtu për të lëshuar ndonjë ultimatum, por për të shprehur mbështetjen time të plotë për dialogun e ndërmjetësuar nga BE dhe për të eksploruar qasjet dhe mënyrat se si mund të vazhdojmë në këtë rrugë. Këtë do ta bëjmë në bashkëpunim të ngushtë me kolegët nga BE-ja”, theksoi Chollet në konferencën për media në Beograd.
Ai tha se janë duke punuar ngushtë me kolegët evropianë për përparimin e dialogut Kosovë-Serbi.
“Kolegu im Escobar ishte në Bruksel në fillim të javës për të diskutuar këtë çështje. Unë do të jem në gjendje të zhvilloj diskutime se si të drejtojmë gjithçka në një drejtim pozitiv dhe ne do të punojmë mbi këtë në ditët në vijim”, nënvizoi ai.
Ai tutje ka thënë se dialogu me ndërmjetësimin e BE-së është mënyra më e mirë për të përmirësuar të ardhmen evropiane të Kosovës dhe Serbisë.
“Mirëpresim të dyja palët që të vendosin interesat e qytetarëve në plan të parë kur marrin vendime dhe të përmirësojnë jetën e përditshme të qytetarëve. E di se vendimet do të jenë të vështira, por SHBA-ja është këtu për të inkurajuar liderët që të ndërmarrin ata hapa kritikë”, tha Chollet.
Ai po ashtu i dha mbështetje të fuqishme planit të Bashkimit Evropian i njohur si “plani frank-gjerman”.
“Propozimi evropian është një bazë e mirë për diskutim, ne duam ta inicojmë atë diskutim dhe shpresojmë që do të bëhet në ditët në vijim. Besojmë se progresi në normalizimin e marrëdhënieve është shumë i rëndësishëm”, shtoi Chollet.
Këshilltari i Lartë amerikan tha se Ballkani Perëndimor ka shumë potencial, por edhe shumë probleme që mund t'i kërcënojnë ato potenciale, siç ishte kriza e fundit në veri të Kosovës.
Ai po ashtu theksoi se beson në kompromisin ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, madje tha se “ai është i mundur edhe këtë vit dhe se kompromisi mund të arrihet në dialogun e ndërmjetësuar nga BE”.























