“Flaka e Janarit” nisi si formë rezistence ndaj pushtuesit
Foto: Komuna e Gjilanit
Kulturë

“Flaka e Janarit” nisi si formë rezistence ndaj pushtuesit

V.Thaçi/RTKlive

Në kuadër të ditëve të Flakës së Janarit që po mban në Gjilan, të shtunën është mbajtur Tryeza e Flakës, në të cilën u diskutuar rreth historisë së “Flakës së Janarit”. Në këtë tryezë është diskutuar për fillet e Manifestimit Shumëkulturor “Flaka e Janarit”, sikurse që ka pasur edhe kumtesa rreth personaliteteve që u kushtohet ky manifestim.

Leonora Morina-Bunjaku, nënkryetare e komunës së Gjilanit, në emër të institucioneve komunale, ka thënë se “Flaka e Janarit” është një manifestim që identifikohet me Gjilanin, por që i cili njëkohësisht i dha identitet këtij qyteti.

Sipas saj, vargut të pafund të luftëtarëve për liri i përkushtohet ky manifestim, i cili arriti një nivel të lartë kulturor dhe që tash e 32 vite Gjilanin e bënë kryeqytet kulturor të shqiptarëve.

“Ky manifestim gjithnjë shkoi duke u pasuruar, gjithnjë rrodhi në frymën e unitetit, andaj dërgoi në vend amanetin e dëshmorëve”, tha Morina – Bunjaku.

Ndërsa studiuesja Sabile Keçmezi – Basha, që është paraqitur me një studim të sajin në këtë tryezë, ka theksuara se “Flaka e Janarit” nderon sakrificën e heronjve që ranë për liri që nga periudha e Skënderbeut e deri te lufta çlirimtare.

Ajo pati një paraqitje kronologjike, sidomos pas Luftës së Dytë Botërore e këtej, duke u ndalë në të gjitha periudhat e rëndësishme që nga kërkesat për flamur e për republikë, vullnetin për liri dhe që pikërisht në këto kohë “Flaka e Janarit” nisi rrugëtimin e saj, pikërisht në kohën e suprimimit të autonomisë së Kosovës e në mungesë të lirisë.

Ajo tha se në vitet 90-ta nga pushtuesi tentohej të shkatërrohej çdo aspekt i jetës në Kosovë, pati dhunë, arrestime e vrasje e “Flaka e Janarit” ishte një formë e rezistencës ndaj pushtuesit. Keçmezi-Basha tha se me këtë manifestim u nderuan heronjtë, dëshmorët, me të u bë thirrje për bashkim e fuqizim e populli u përgatit për ditët që po vinin.

“Flaka e Janarit ishte një organizim që tmerroi armikun dhe megjithëse u tentua që ajo të pengohej, “Flaka...” pati një shpërthim edhe më të vrullshëm, andaj ajo zë një vend meritor në historinë e Kosovës”, tha Keçmezi-Basha.

Shemsi Syla, zëvendësministër i Mbrojtjes dhe njëri nga nismëtarët e “Flakës së Janarit”, tha se ky manifestim mbajti gjallë idealin për liri. Manifestimi arriti që të kryej misionin e tij përmes artit e krijimtarisë.

Duke rikujtuar nismat e para për krijimin e këtij manifestimi, Syla, tha se ishin kohë të vështira, kohë okupimi klasik, por që nismëtarët nuk u ndalën, të frymëzuar nga heroizmi i Jusuf Gërvallës, Kadri Zekës, Bardhosh Gërvallës, Rexhep Malës, Nuhi Berishës e i heronjve të tjerë.

Foli se si emërtimin “Flaka e Janarit” e kishte propozuar Hydajet Hyseni, si u rindërtua miniteatri në Bresalc, si u vazhdua me manifestim në Përlepnicë e më pas edhe në Gjilan, duke shtuar se “Flaka e Janarit” kishte për qëllim mbajtjen gjallë të luftës për çlirim. “Flaka e Janarit u ngrit nga djemtë e këtij populli, të cilët bartën barrën kryesore edhe në luftën çlirimtare”, tha zëvendësministri Shemsi Syla që ka kërkuar që të ngrisim edhe më lartë identitetin e “Flakës së Janarit”.

Studiuesi Ilir Vokshi, është paraqitur me një kumtesë mbi “Represionin serb pas vitit 1981”, duke thënë se vetëm në Prishtinë pas demonstratave të vitit 1981 patë nëntë të vrarë dhe 15 të plagosur.

Ai përmendi edhe kërkesat e kësaj demonstrate, që në qendër kishin kërkesën për Kosovën Republikë, foli edhe për mijëra vjet burgim për demonstruesit, për përjashtimet nga puna, institucionet arsimore, por edhe vazhdimin e luftës për liri, duke u formuar një numër i madh i organizatave të fshehta.

Albin Halimi, në kumtesën e tij është ndalë te jeta dhe vepra e Kadri Zekës. Ai ka folur për aktivitetin e Kadri Zekës në grupin Revolucionar të Kosovës, për qëllimet atdhetare të tij dhe të shkove të tij, për botimin e gazetës “Liria” në Zvicër, bashkëpunimin me vëllezërit Gërvalla, mbajtjen e lidhjes së fuqishme me përfaqësuesit e Shqipërisë dhe për veprimtarinë e Kadri Zekës gjatë e pas demonstratave të vitit 1981 deri në rënien heroike më 17 janar 1982.

Studiuesi Sefesdin Halimi, duke folur për veprimtarinë atdhetare të Rexhep Malës, tha se ai ishte pjesëmarrës në demonstratat e vitit 1968. Foli për largimin nga vendi, arrestimin e tij, qëndrimin burrëror në burg dhe lirimin në vitin 1983, ku përkundër kësaj nuk e ndali aktivitetin atdhetar dhe nuk u dorëzua kurrë.

“Për Rexhep Malën çlirimi dhe bashkimi kombëtar ishte ideal mbi të gjitha idealet”, tha ky studiues.

Për veprimtarinë e Nuhi Berishës, me një kumtesë është paraqitur studiuesi Rexhep Arifi, i cili paraqiti fragmente kujtimesh për këtë atdhetar. Ai tha se Nuhi Berisha që nga mosha e re iu bashkua lëvizjeve ilegale dhe se ai pati aftësi të jashtëzakonshme komunikuese. Ishte njeri i sakrificave, shkruante parulla e shpërndante trakte.

Sipas Arifit, Nuhi Berisha ishte organizator i formacioneve të para stërvitore për luftën e armatosur. Ai rrugëtoi me Rexhep Malën, deri në rënien heroike në lagjen “Kodra e Trimave” në Prishtinë.

Në këtë tryezë në pjesën diskutuese morën pjesë edhe Tefik Basha, Lulzim Zymberi e Ibush LLapashtica, që evokoi kujtime të qëndrimit ilegal të Rexhep Malës e Nuhi Berishës në shtëpinë e tyre e kjo tryezë është organizuar me përkrahjen e Komunës së Gjilanit, Drejtoria për KUlturë, Rini e Sporte me drejtor Kushtrim Zeqirin si dhe organizatori Blerim Haziri. 


MË SHUME NGA Kulturë