Ndezën qirinj në përkujtim të viktimave të Masakrës së Reçakut
RTK
Studentë të universitetit të Korçës pasditen e sotme në mjediset e këtij universiteti kanë bërë homazhe dhe ndezur qirinj në përkujtim të viktimave të luftës së Kosovës.
Sipas organizatorëve simboli i lulëkuqes me katër petale shërben si një kujtesë për gjenocidin serb ndaj shqiptarëve të Kosovës. Pjesë e këtij tubimi kanë qenë edhe fëmijë, të cilët kishin ardhur së bashku me prindërit për të ndezur një qiri në kujtim të viktimave të masakrës së Reçakut.
Po sot, në Ditën e Përkujtimit të Gjenocidit ndaj Shqiptarëve në Kosovë, qytetarë të shumtë kanë ndezur qirinj në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë.
Kryetari i Qendrës “Gjenocidi në Kosovë-Plagë e Hapur”, Bardhyl Mahmuti, tha se dita e përkujtimit të viktimave të gjenocidit ka një numër të madh të aktiviteteve që kanë ndërmarrë si qendër “Gjenocidi në Kosovë- plagë e hapur” për të shënuar këtë ngjarje të rëndësishme në historinë e popullit.























