Sllovenia përkrah Kosovën për anëtarësim në BE e KiE |Video
BKT
Foto: Elmina Osmani/RTK
Lajme

Sllovenia përkrah Kosovën për anëtarësim në BE e KiE |Video

Jeton Musliu/RTKlive

(Plotësuar: Ora 12:20) Nga ana e saj, ministrja e Punëve të Jashtme të Sllovenisë, Tanja Fajon, rikonfirmoi se Sllovenia e Kosova kanë lidhje të forta mes tyre.

Në këtë frymë, ajo uroi kosovarët për arritjen e fundit e që është marrja e datës finale për liberalizim të vizave, që është më së largu 1 janari i vitit 2024.

“Ky do të jetë hap i mirë për integrime evropiane”, tha Fajon. Ajo tha se me homologen kosovare ka biseduar për bashkëpunim mes dy vendeve.

“Sllovenia ka interes të investojë e bashkëpunojë me Kosovën në shuam fusha, si në atë të energjetike.

“Por kemi folur edhe për ambiciet e Kosovës për anëtarësim në BE e Këshillin e Evropës, për reformat në drejtim të shteti t të së drejtës”, deklaroi kryediplomatja sllovene.

Ajo konfirmoi se të gjithë janë të shqetësuar për rreziqet e sigurisë në Ballkan dhe sipas saj, duhet pasur një Ballkan Perëndimor të fortë e gjithashtu edhe një Kosovë të fortë.

“Folëm edhe pjesën veriore të Kosovës, dhe për përpjekjet e Kosovës që të përpiqet të normalizojë marrëdhëniet me Serbinë, që të mos eskalojë  situata e të vazhdojë dialogu për marrëveshjen e sponsorizuar nga BE-ja”, tha Fajon.

Ajo ritheksoi se Sllovenia është miku i Kosovës. “Nuk flas vetëm nga pozita e ministres së Jashtme, pasi  unë e njoh Kosovën dhe do t’i ofrojmë mbështetje për integrimin e saj në çdo mënyrë’, tha Fajon.

Në fakt, lidhjet e saj me Kosovën janë të forta e të hershme pasi e njëjta ishte edhe raportuese për Kosovën në Parlamentin Evropian.

Sa i përket çështjes së dialogut Kosovë-Serbi, ministrja Fajon tha se Sllovenia e mbështet këtë proces.

“Në prill do të kemi edhe zgjedhje në pjesën veriore, të cilat duhet të jenë të ndershme e të lira”, tha ajo.

Gërvalla: Të shohim gatishmërinë e Serbisë për të drejtat e pakicave

(Plotësuar:Ora 12:10) Sa i përket dialogut Kosovë-Serbi, ministrja e Punëve të Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla, deklaroi se Kosova është e gatshme dhe e përgatitor të finalizojë këtë proces.

“Por e tillë  nuk është Serbia. Keni parë çdo ditë se si Vuçiq e Daçiq flasin se nuk do ta njohin Kosovën ,se Kosova është çerdhe e terrorizimit e shumëçka tjetër”, tha ajo.

 “Por jemi të gatshëm që me ngulm,  atë që ka thënë BE-ja,  të vazhdojmë të bisedojmë intesivisht e të flasin për tërë situatën e jo të merremi me cështje të vogla”, tha ministrja e Punëve të Jashtme të Kosovës.

Sa i përket Asociacionit, ministrja Gërvalla rikujtoi e ajo marrëveshje e vitit 2015,  nuk e ka kaluar testin e Kushtetutës.

“Kosova nuk do të kërkojë rrugica. Por se cilat do të jenë koncesionet e Serbisë ndaj pakicave të saj, do të shohim në kuadër të dialogut”, tha ajo.

“Edhe pse Kushtetuta jonë si rrallë ndonjë Kushtetutë në botë garanton të drejtat e minoritetit,  nëse shohim edhe gatishmërinë e Serbisë për të drejtat e pakicave në Serbi,  atëherë mund të flasim”, u shpreh kryediplomatja kosovare.

“Nuk mund të kërkohet nga Kosova të shkelë Kushtetutën e saj”.

Ajot ha se dialogu duhet të fillojë me intensitet e jo një herë në gjashtë muaj.

Gërvalla: Miku i mirë në ditë të vështira

(Plotësuar:Ora 11:50) Zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Punëve të Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla, pas takimit me homologen sllovene, Tanja Fajon në Prishtinë, deklaroi se situata në rajon, mbetet e komplikuar, për shkak të agresionit rus në Ukrainë.

Ministrja Gërvalla deklaroi se Slloveninë e Kosovën e lidh një miqësi tradicionale, e cila daton që nga koha e viteve 1989-90.

“Ishte Sllovenia e cila ka ngritur e para zërin për atë që po ndodhte në Kosovë, në kuadër të ish Jugosllavisë”, tha ajo. “Miku i mirë në ditë të vështira”.

Ministrja gërvalla u shpreh se Sllovenia është avokate e shquar në BE e rajonit të Ballkanit Perëndimor.

“Sllovenia vazhdimisht i ka bërë presion BE-së të bëhet më shumë për rajonin, sepse BE-ja ka humbur shumë vite për integrim të rajonit tonë”, deklaroi kryediplomatja kosovare.

Duke rikujtuar pritjen që i ka bërë në aeroport të homologes së saj, të dielën e 15 janarit, ministrja Gërvalla u shpreh se në atë datë, 31 vjet më parë, shtetet e Bashkimit Evropian,e njohën pavarësinë e saj dhe të Kroacisë.

“Disa nga ato shtete ishin kundër e disa pro, por në fund BE-ja mori një vendim strategjik që të njohë këto vende, pa i dorëzuar çelësin e integrimit as Serbisë dhe as Rusisë’, tha Gërvalla në konferencën e përbashkët për media me ministren e Punëve të Jashtme të Sllovenisë, Tanja Fajon.

“Rajoni ynë po përballet me një situatë të vështirë tani pas agresionit rus. Sllovenia është anëtare e NATO dhe Kosova nuk e ka fshehur aspiratën e saj për anëtarësim në NATO, që do ta sillte vendin më afër vlerave perëndimore”, u shpreh Gërvalla.

“Kosova e di që edhe brenda NATO-s dhe BE-së, ka biseda intensive për situatën tonë”, tha ajo, duke rikujtuar se Serbia mbetet aleati dhe përfaqësuesi më i afërt i Rusisë në rajon.

Duke folur për bashkëpunim mes Kosovës e Sllovenisë në fusha të tjera, ministrja Gërvalla tha se investimet sllovene janë rritur.

“Kemi qytetarë tanë që punojnë në Slloveni e kemi studentë që studiojnë në Slloveni, prandaj  të gjithë ata janë urë lidhëse mes dy vendeve tona”. (Lajmi është në plotësim...)

Gërvalla e Fajon rikonfirmojnë lidhjet e forta Kosovë-Slloveni 

( E plotësuar, ora 11:25) “Kosova nuk mund të shkelë Kushtetutën e saj dhe të kërkojë rrugica sa i përket Asociacionit të komunave me shumicë serbe”.

Kështu deklaroi Zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Punëve të Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla, pas takimit me homologen sllovene, Tanja Fajon në Prishtinë.

Ministrja Gërvalla deklaroi marrëveshja për Asociacionin e vitit 2015, nuk e ka kaluar testin e Gjykatës Kushtetuese, por se ajo marrëveshje edhe mund të rikonsiderohet gjatë dialogut, vetëm nëse edhe Serbia pranon të shikojë të drejtat e pakicave të saj, të drejta të cilat sipas saj, janë shumë më të mangëta sesa ato që gëzojnë pakicat në Kosovë.

Ndërkohë, Zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Punëve të Jashtme të Sllovenisë, Tanja Fajon, deklaroi se shteti i saj, mbetet mike dhe partnere e fortë e Kosovës në BE dhe në NATO.

Ajo tha se lidhjet mes Kosovës e Sllovenisë janë të forta dhe do të thellohen edhe më tej, e kjo, jo vetëm në aspektin politik por edhe në rrafshin ekonomik, përmes  investimeve të ndryshme.

Në konferencën për media të mbajtur në Prishtinë mes dy kryediplomateve, u fol edhe për tema të tjera.  (Lajmi është në plotësim...)

Kryediplomatja sllovene takoi Gërvallën

Afet Bela/RTKlive 

( E plotësuar, ora 10:40) Ministrja e Punëve të Jashtme të Sllovenisë, Tanja Fajon, në vizitën e parë në Prishtinë është pritur nga Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës së Kosovës, Donika Gërvalla Schwarz.

Ministria e Punëve të Jashtme të Sllovenisë, shkruan faqen e saj në Twitter se Sllovenia dhe Kosova kanë marrëdhënie shumë të mira miqësore. “Megjithatë, ka ende shumë mundësi për të forcuar bashkëpunimin ekonomik, veçanërisht në fushën e dixhitalizimit, energjisë së gjelbër dhe menaxhimit të ujit”, thuhet në postimin e  MPJ së Sllovenisë.

Kryediplomatja sllovene Tanja Fajon sot do të vizitojë Kosovën

Ministrja e Punëve të Jashtme të Sllovenisë, Tanja Fajon, sot do të vizitojë Kosovën.  Kryediplomatja sllovene sot të ketë takime me lidershipin e Kosovës.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, do ta presë në takim Ministren e Punëve të Jashtme të Sllovenisë, Tanja Fajon.

Edhe kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, pret në takim zëvendëskryeministren dhe ministren e Punëve të Jashtme të Sllovenisë, Tanja Fajon, raporton RTKlive.

Fajon do të takohet edhe me Ministren e Punëve të Jashtme dhe Diasporës së Kosovës, Donika Gërvalla Schwarz. Pas takimeve bilaterale, të dy ministret do të mbajnë konferencë për media.

Ministria e Punëve të Jashtme të Sllovenisë, njofton se ato do të bisedojnë për forcimin e marrëdhënieve mes dy vendeve, me theks të veçantë në bashkëpunimin ekonomik, ngjarjet e brendshme politike në Kosovë dhe situatën në rajon.

Ndryshe Fajon është emër i njohur për publikun kosovar pasi ajo edhe kur nuk ishte ministre e punëve të jashtme të Sllovenisë ka pasur pozicione që e kanë sjellë shpeshherë në Kosovë, sidomos për çështjen e liberalizimit të vizave për Kosovën.

 


MË SHUME NGA Lajme