Hapet ekspozitë e fotografive të masakrave dhe zhvarrimeve
RTKlive
Në Bursa të Turqisë, është hapur ekspozita me fotografi të masakrave dhe zhvarrimeve të personave të zhdukur me dhunë gjatë luftës së në Kosovë.
Hapja e kësaj ekspozite është bërë e mundur falë organizimit të OJQ “For New Life Kosovo” në bashkëpunim me Qendrën Kulturore të Kosovës në Bursa, e mbështetur nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës dhe Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur.
Në hapje të kësaj ekspozite me fjalë rasti u paraqitën Kumrije Karaqica, përfaqësuese e familjeve të personave të zhdukur në Kosovë si dhe Recep Gunduz nga Qendra Kulturore e Kosovës në Bursa.
Karaqica në fjalën e saj ka thënë se si pasojë e luftës në Kosovë në vitet 1998-99, ende figurojnë të zhdukur edhe 1617 persona, ndwrsa numri i personave të zhdukur pas ndërprerjes së veprimeve ushtarako-policore ka qenë 6057 persona.
Sipas saj më shumë se 2800 mbetje mortore të identifikuara u janë kthyer familjareve për rivarrim, disa nga rastet janë lajmëruar të gjallë pasi kanë qenë në burgjet e Serbisë dhe një numër i rasteve, rreth 200 janë mbyllur për arsye administrative.
Në territorin e Kosovës që nga paslufta janë gjurmuar e gërmuar me qindra lokacione në të gjitha komunat e vendit ku çdo vit është punuar në më shumë se 20 lokacione. Kane rezultuar si varreza masive nw Izbicë, Korishë ,Suhedollë, Kaçanik e shumë varreza masive në të gjitha komunat e Kosovës.
“Ka edhe lokacione të përbashkëta me Komisionin e Serbisë dhe janë të pranishëm edhe pala e Beogradit. Mbetjet mortore të 955 personave u janë rikthyer për rivarrim familjve të tyre. Vetëm, në Batajnicë janë gjetur 747 mbetje mortore në vitet 2001-2002 “ ka thënë ndër të tjera Karaqica.
Ekzpozita do të jetë e hapur deri më 19 janar, ndërsa për çështjen e personave të zhdukur do të mbahet edhe një diskutim me organizatat e qytetit .