VIDEO|Kuvendi nisi punimet e sesionit pranveror
A.B / RTKlive
(E plotësuar) Kuvendi i Republikës së Kosovës nën drejtimin e kryetarit Glauk Konjufca, vazhdoi punimet me pikat e papërfunduara nga seancat plenare të 14 tetorit 2022; 15, 22, 23 shtatorit 2022, si dhe të 7, 24 tetorit dhe 18 nëntorit të vitit 2022.
Kjo seancë e para e sesionit pranveror filloi me një minutë heshtje për të nderuar jetën dhe veprën e ish-deputetes së Kuvendit të Kosovës, Edi Shukriu.
Në këtë seancë, Kuvendi shqyrtoi në lexim të parë Projektligjin për Sigurinë e Përgjithshme të Produkteve, të cilin e miratoi me shumicë votash.
Ndërsa, me kërkesë të kryetarit të Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi, shqyrtimi i Propozim-rezolutës në lidhje me mosrealizimin e projekteve kapitale të Qeverisë gjatë vitit 2022, u shty për një nga seancat e radhës.
Seanca vazhdoi punimet me zgjedhjen e dy (2) anëtarëve të Këshillit Gjyqësor të Kosovës.
Pas votimit, asnjëri nga dy kandidatët nga radhët e shqiptarëve nuk morën votat e mjaftueshme.
Pas përsëritjes së votimit, Kuvendi nuk pati kuorum për vendimmarrje, andaj ky proces u shty për seancën tjetër.
Ndërkaq, Kuvendi zgjedhi Ahmet Imamin, anëtar të Këshillit Gjyqësor të Kosovës nga radhët e komunitetit joshumicë.
Më pas, Kuvendi shqyrtoi Raportin vjetor të Institucionit të Avokatit të Popullit për vitin 2021, të cilin me shumicë votash e miratoi.
(E plotësuar) Kuvendi i Kosovës, po vazhdon punimet në seancën e parë të sesionit pranveror për vitin 2023.
Nuk kalon plotësim ndryshimi i Ligjit për skemat pensionale
Deputetët e Kuvendit të Kosovës, nuk kanë votuar Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Skemat Pensionale të Financuara nga Shteti.
Ky projektligj nuk mori mbështetjen e deputetëve, prej 61 sa morën pjesë në votim 25 ishin për, 32 deputetë kundër dhe 4 abstenime.
LIVE|Kuvendi voton raportin e Avokatit të Popullit
(E plotësuar, ora 13:13) Kuvendi pas prazantimit të raportit me shumicë votash ka votuar raportin e Institucionit të Avokatit të Popullit.
Kuvendi tani ka filluar shqyrtimin e raportit vjetor të Institucionit të Avokatit të Popullit për vitin 2021. Këtë raport po e prezanton Naim Qelaj, Avokat të Popullit.
Tani deputetët e Kuvendit janë duke votuar për t'i zgjedhur dy (2) anëtarë të Këshillit Gjyqësor të Kosovës.
Shqyrtimi i Propozim-rezolutës në lidhje me mosrealizimin e projekteve kapitale të Qeverisë gjatë vitit 2022, është shtyrë për më vonë.
Pas debatit mes pozitës dhe opozitës, Kuvendi ka votuar Projektligjin nr.08/L-172 për Sigurinë e Përgjithshme të Produkteve.
Gjatë seancës, PDK-ja kërkoi shkarkimin e ministres Hajdari.
Në fillim të seancës Kuvendi i Kosovës, ka nderuar me një minutë heshtje Edi Shukriun, e cila ndërroi jetë dje. Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, vlerësoi figurën e Edi Shukriun. “Lajmin e morëm me pikëllim, në emër të Kuvendit të Kosovës, i shprehim ngushëllime familjes dhe bashkëpunëtorëve të saj të ngushtë”, tha ai.
Kuvendi i Kosovës, sot do të fillojë punimet e sesionit pranveror për vitin 2023.
Në seancën e parë do të ketë vazhdime të pikave nga seancat plenare të vitit të kaluar, raporton RTKlive.
Seanca do të fillojë pikat e papërfunduara të 14 tetori 2022: Shqyrtimi i parë i Projektligjit për Sigurinë e Përgjithshme të Produkteve, shqyrtimi i Propozim-rezolutës në lidhje me mosrealizimin e projekteve kapitale të Qeverisë gjatë vitit 2022, zgjedhja e dy anëtarëve të Këshillit Gjyqësor të Kosovës, shqyrtimi i Raportit vjetor të Institucionit të Avokatit të Popullit për vitin 2021.
Po ashtu në rend dite janë edhe pikat e papërfunduara nga Seanca plenare, e mbajtur më 15, 22, 23 shtator 2022: Votimi në parim i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e ligjeve që kanë të bëjnë me racionalizimin dhe vendosjen e vijave llogaridhënëse të agjencive ekzekutive, votimi në parim i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Skemat Pensionale të Financuara nga Shteti, shqyrtimi i Raportit vjetor të Komisionit të Pavarur të Mediave për vitin 2021, shqyrtimi i Raportit vjetor të Autoritetit Rregullativ të Komunikimeve Elektronike dhe Postare për vitin 2021, shqyrtimi i Raportit të Performancës së Ndërmarrjeve Publike Qendrore për vitin 2020, shqyrtimi i Raportit me rekomandime nga mbikëqyrja e zbatimit të Ligjit për Mbikëqyrjen Elektronike të Personave të Cilëve u Kufizohet Lëvizja me Vendim të Gjykatës, shqyrtimi i Raportit me rekomandime nga mbikëqyrja e zbatimit të Ligjit për Noterinë, shqyrtimi i Rekomandimeve të dala nga shqyrtimi i Raportit të Auditimit për pasqyrat financiare vjetore të Universitetit të Prishtinës për vitin 2021.
Kurse pikat e papërfunduara nga Seanca plenare, e mbajtur më 7, 24 tetor dhe 18 nëntor 2022 janë: Votimi i Propozim-rezolutës për gjendjen në sektorin e shëndetësisë, shqyrtimi i Rekomandimeve lidhur me Raportin e auditimit për pasqyrat financiare të Ministrisë së Shëndetësisë për vitin 2021 dhe shqyrtimi i Rekomandimeve lidhur me Raportin e auditimit për pasqyrat financiare të Shërbimit Spitalor Klinik dhe Universitar të Kosovës për vitin 2021.























