Erërat e forta godasin Prizrenin, shkaktohen dëme të konsiderueshme|Video
BKT
Lajme

Erërat e forta godasin Prizrenin, shkaktohen dëme të konsiderueshme|Video

Myrvete Axhami / RTK

Erërat e forta që përfshinë vendin mbrëmjen e së martës krijuan mjaft shqetësime te banorët e lagjes “Bazhdërhane” në Prizren. Kulmet e dy banesave ranë në tokë, u dëmtua një makinë private, por për fat nuk pati dëme në njerëz.

Në Korishë, për shkak të erës së fortë, u rrëzuan shtyllat elektrike, ndërsa banorët e këtij lokaliteti mbetën pa rrymë.

Në fshatin Landovicë dëme të konsiderueshme pësoi sera e Nagip Morinës. Ai është ankuar në drejtorinë e bujqësisë, ndërsa pret që t'i ndihmojnë për ta rindërtuar atë.

Drejtoresha për emergjenca dhe shpëtim në komunën e Prizrenit, Ramize Shala, tha se për fat të mirë nuk ka dëme në njerëz, ndërsa dëmet do të kompensohen.

“Sot kemi dal në teren dhe e kemi vëzhguar situatën se çfarë dëme janë bërë. Sigurisht se dëmet që janë shkaktuar momentalisht, në vitin e kaluar kanë qenë të ndërtuara nga komuna e Prizrenit. Sigurisht që kryetari Totaj do ta kompensojë dhe do të i rikthen në gjendjen e mëparshme dëmet të cilat janë shkaktuar”, tha ajo.

Për shkak të erërave të forta pa rrymë ngelën shumica e fshatrave të komunës së Prizrenit, ato të Dragashit etj.

Ekipet e KEDS-it ishin në terren dhe punonin për t'i shmangur prishjet.


MË SHUME NGA Lajme