Publikohen pikat e planit franko-gjerman
BKT
Lajme

Publikohen pikat e planit franko-gjerman

Anamari Repiq, RTK/Beograd

Deputeti i opozitës Alleksandar Ollenik dhe gazeta “Danas” publikuan një plan të supozuar evropian për rregullimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Në versionet e publikuara, të cilat nuk janë konfirmuar zyrtarisht, thuhet se palët do të njohin simbolet shtetërore, do të respektojnë integritetin territorial, do të shkëmbejnë misione të përhershme, do t'i zgjidhin mosmarrëveshjet në mënyrë paqësore dhe se Serbia nuk do të kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në asnjë organizatë ndërkombëtare.

Teksti i planit të supozuar evropian iu ëhtë paraqitur palëve më 20 janar dhe përmban dhjetë pika. Deputeti i koalicionit “Së bashku për Vojvodinën – Vojvodinë” Alleksandar Ollenik e ka publikuar tekstin e planit në rrjetet sociale.

“Në bazë të njohurive të mia, ky është teksti i propozimit evropian për Marrëveshjen Themelore ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, ka shkruar Ollenik.

Gazeta Danas thekson se tekstin e planit e ka marrë “përmes rrugëve diplomatike”. Në bazë të dy versione te publikuar, propozimi evropian thotë se palët do të zhvillojnë marrëdhënie të bazuara në të drejta të barabarta.

“Të dyja palët do të njohin reciprokisht dokumentet përkatëse dhe simbolet kombëtare, duke përfshirë pasaportat, diplomat, targat e automjeteve dhe vulat doganore”, thuhet në nenin 1.

Kjo marrëveshje parashikon që palët të udhëhiqen nga parimet e Kartës së OKB-së për respektimin e "pavarësisë, autonomisë dhe integritetit territorial të tyre".

Neni 4 thotë se të dy palët nuk do të kundërshtojnë njëra-tjetrën në skenën ndërkombëtare.

“Palët nisen nga supozimi se asnjëra prej tyre nuk mund të përfaqësojë palën tjetër në sferën ndërkombëtare apo të veprojë në emër të saj. Serbia nuk do ta kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në asnjë organizatë ndërkombëtare”, thuhet ne vazhdim.

Kur është fjala për rregullimin e të drejtave të komunitetit serb, thuhet se kjo çështje do të zgjidhet në bazë të praktikave evropiane.

“Të dyja palët janë të përkushtuara për arritjen e marrëveshjeve konkrete, në përputhje me instrumentet përkatëse të Këshillit të Evropës dhe përdorimin e përvojave ekzistuese evropiane, në mënyrë që të sigurohet një nivel i duhur i vetëqeverisjes për komunitetin serb në Kosovë dhe mundësia e ofrimit të shërbimeve. Disa fusha specifike, duke përfshirë mundësinë e ndihmës financiare nga Serbia dhe kanalet e drejtpërdrejta të komunikimit ndërmjet komunitetit serb dhe Qeverisë së Kosovës”, thuhet në nenin 7.

“Palët do të zyrtarizojnë statusin e Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë dhe do të sigurojnë një nivel të lartë të mbrojtjes së trashëgimisë fetare dhe kulturore serbe, në përputhje me modelet ekzistuese evropiane”, thuhet tutje.

Në versionin e publikuar jozyrtarisht të planit europian thuhet se “palët do të shkëmbejnë misione të përhershme”.

“Ata do të vendosen në selinë e qeverisë përkatëse. Çështjet praktike që lidhen me vendosjen e misioneve do të trajtohen veçmas”, thuhet në tekst.

Thuhet se palët do të vazhdojnë procesin e dialogut që duhet të çojë në një marrëveshje ligjërisht të detyrueshme, gjithëpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve. Gjithashtu, palët duhet të bien dakord për thellimin e bashkëpunimit në fushën e ekonomisë, shkencës dhe teknologjisë.

Plani konkludon se palët do të krijojnë një komision të përbashkët, të kryesuar nga BE-ja, i cili do të monitorojë zbatimin e kësaj marrëveshjeje.

Teksti i marrëveshjes të publikuar nga deputeti serb Alleksandar Ollenik dhe gazeta Danas.

Të vetëdijshëm për përgjegjësinë për të ruajtur paqen;

Të përkushtuar për të kontribuar në bashkëpunimin dhe sigurinë e frytshme rajonale në Evropë; Duke kuptuar se paprekshmëria e kufijve dhe respektimi i integritetit territorial dhe sovranitetit, si dhe mbrojtja e pakicave kombëtare, janë kushte themelore për paqen;

Duke vepruar në bazë të fakteve historike dhe pa paragjykuar pikëpamjet e ndryshme të palëve për çështjet themelore, përfshirë çështjen e statusit;

Me dëshirën për të krijuar kushte për bashkëpunimin e partive në dobi të popullit,
Është rënë dakord për sa vijon:

Neni 1

Palët do të zhvillojnë reciprokisht marrëdhënie normale, të mira fqinjësore mbi bazën e të drejtave të barabarta.
Të dyja palët do të njohin reciprokisht dokumentet përkatëse dhe simbolet kombëtare, duke përfshirë pasaportat, diplomat, targat e automjeteve dhe vulat doganore.

Neni 2

Të dyja palët do të udhëhiqen nga qëllimi dhe parimet e përcaktuara në Kartën e Kombeve të Bashkuara, veçanërisht ato për të drejtat sovrane të shteteve, respektimin e pavarësisë, autonomisë dhe integritetit territorial të tyre, të drejtën për vetëvendosje dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut. dhe mosdiskriminimi.

Neni 3

Në përputhje me Kartën e Kombeve të Bashkuara, palët do të zgjidhin të gjitha mosmarrëveshjet ndërmjet tyre vetëm me mjete paqësore dhe do të përmbahen nga kërcënimi ose përdorimi i forcës.

Neni 4

Palët nisen nga supozimi se asnjëra prej tyre nuk mund të përfaqësojë palën tjetër në sferën ndërkombëtare ose të veprojë në emër të saj. Serbia nuk do ta kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në asnjë organizatë ndërkombëtare.

Neni 5

Të dyja palët do të mbështesin aspiratat e tyre për t'u bërë anëtarë të Bashkimit Evropian.

Neni 6

Ndërsa kjo marrëveshje bazë përfaqëson një hap të rëndësishëm në normalizim, të dyja palët do të vazhdojnë procesin e dialogut të udhëhequr nga BE me një vrull të ri, duke çuar në një marrëveshje ligjërisht të detyrueshme dhe gjithëpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve.

Palët bien dakord që në të ardhmen do të thellojnë bashkëpunimin në fushën e ekonomisë, shkencës dhe teknologjisë, trafikut dhe lidhjes, marrëdhënieve në drejtësi dhe zbatim të ligjit, postë dhe telekomunikacion, shëndetësi, kulturë, fe, sport, mbrojtjen e mjedisit, personat e pagjetur, dhe fusha të tjera, në mënyrë të ngjashme përmes arritjes së marrëveshjeve specifike.

Neni 7

Të dyja palët avokojnë për arritjen e aranzhimeve konkrete, në përputhje me instrumentet përkatëse të Këshillit të Evropës dhe përdorimin e përvojave ekzistuese evropiane, në mënyrë që të sigurohet një nivel i duhur i vetëqeverisjes për komunitetin serb në Kosovë dhe mundësia e ofrimit të shërbimeve në Kosovë, duke përfshirë mundësinë e ndihmës financiare nga Serbia dhe kanalet e drejtpërdrejta të komunikimit ndërmjet komunitetit serb dhe Qeverisë së Kosovës.
Palët do të zyrtarizojnë statusin e Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë dhe do të sigurojnë një nivel të lartë të mbrojtjes së trashëgimisë fetare dhe kulturore serbe, në përputhje me modelet ekzistuese evropiane.

Neni 8

Palët do të shkëmbejnë misione të përhershme. Ato do të vendosen në selinë e qeverisë përkatëse. Çështjet praktike që lidhen me vendosjen e misioneve do të trajtohen veçmas.

Neni 9

Nga të dyja palët u vu në dukje përkushtimi i BE-së dhe donatorëve të tjerë për krijimin e një pakete të veçantë të ndihmës financiare për projektet e përbashkëta të palëve për zhvillimin ekonomik, lidhjen, tranzicionin e gjelbër dhe fusha të tjera kyçe.

Neni 10

Palët do të krijojnë një komision të përbashkët, të kryesuar nga BE-ja, i cili do të monitorojë zbatimin e kësaj marrëveshjeje.

Të dyja palët konfirmojnë detyrimet e tyre për të zbatuar të gjitha marrëveshjet e mëparshme.


MË SHUME NGA Lajme