Policia: Të dyshuarit për incidentin në Leposaviq me të kaluar kriminale
E. Hoti/ RTKlive
Policia e Kosovës ka dalë me informacione të reja lidhur me incidentin e ndodhur sot në Bistricë të Leposaviqit. Policia ka njoftuar se ka identifikuar dy të dyshuar.
Sipas Policisë, personat e dyshuar të përfshirë në këtë rast sipas të dhënave rezultojnë të jenë persona me të kaluar kriminale dhe të përfshirë në dhjetëra veprave penale dhe kundërvajtje .
Sipas Policisë njëri nga të dyshuarit është i përfshirë në 80 vepra penale.
“I dyshuari mashkull kosovar me iniciale (D.S. 1991), dyshohet të jetë i përfshirë në mbi 80 vepra penale, nga to i dyshuar edhe për vepra penale si; vrasje, detyrim, armëmbajtje pa leje, sulm, pengim i personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrës zyrtare, kanosje, vjedhje e rëndë, shkaktim i rrezikut të përgjithshëm, grabitje etj., etj. I njëjti ka kryer edhe mbi (20) kundërvajtje”, thuhet në njoftim.
Ndërsa, i dyshuari tjetër, sqaron Policia e Kosovës, dyshohet të jetë i përfshirë në 17 vepra penale.
“I dyshuari mashkull kosovar me iniciale (M.D. 1985), dyshohet të jetë i përfshirë në 17 vepra penale, nga to i dyshuar edhe për vepra penale si; vrasje, shtrëngim, armëmbajtje pa leje, vjedhje e rëndë, lëndim i rëndë trupor, kalim i paautorizuar i kufirit, manipulim me prova etj, etj. I njëjti ka kryer edhe (3) kundërvajtje”, thuhet tutje në njoftimin e PK-së.
Policia e Kosovës tutje thotë se mbetet e përkushtuar në realizimin e detyrave dhe autorizimeve ligjore në interes të ruajtjes së rendit dhe sigurisë publike, ofrimit të sigurisë ndaj qytetarëve pa dallim, si dhe parandalimit të veprimtarive të ndryshme kriminale.
Gjatë ditës një veturë në lëvizje ka goditur automjetin e Policisë së Kosovës, duke rrezikuar drejtpërdrejt edhe jetën zyrtarëve policorë, të cilët për të neutralizuar rrezikun ndaj tyre kanë shtënë me armë zjarri.