Lajçak arrin në Kosovë, darkë pune me zëvendëskryeministrin Bislimi
B. H. / RTKlive
(E plotësuar - 20:35)Emisari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak ka arritur në Kosovë, ndërsa burimet brenda qeverisë thonë se ai sonte ka një darkë pune me zëvendëskryeministrin e Kosovës, Besnik Bislimi.
Pamjet për ardhjen e tij i ka dërguar gazetari Venhar Isufi, derisa Klisman Kadiu, këshilltar për media i zëvendëskryeministrit dhe përfaqësuesit të Kosovës për bisedime me Serbinë, Besnik Bislimi për REL ka bërë të ditur se Bislimi dhe Lajçak do të kenë një darkë pune.
Lajçak sonte në Kosovë, Qeveria thotë se s`ka kërkesë për takim
I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak do të vijë sonte në Prishtinë.
Korrespodentja e RTK-së në Bruksel, Gjeraqina Tuhina, ka bërë të ditur se, nga burimet e saj, ka mësuar se Lajçak do të qëndrojë në kryeqytetin e Kosovës, në kuadër të përpjekjeve dinamike për pranimin e propozimit evropian për marrëveshjen bazë për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi.
Nga Qeveria e Kosovës kanë thënë se nuk janë të njoftuar për vizitë të emisarit lajçak.
"Për agjendën e zotit Lajçak, ju lutemi që t'i drejtoheni ekipit të tij. Për takimet e kryeministrit Kurti me zotin Lajçak njoftoheni gjithmonë paraprakisht. Ne nuk kemi pranuar ndonjë kërkesë zyrtare nga Lajçak për takim me kryeministrin Kurti", kanë thënë përfaqësues nga Zyra e kryeministrit Kurti.
Ndryshe edhe kjo vizitë është si përpjekje e vizitave të diplomatëve evropianë e amerikanë në Kosovë e Serbi, për të gjetur një zgjidhje për normalizimin e raporteve ndërmjet dy shteteve.
Lajçak dje është takuar në Bruksel me ministrin e Jashtëm të Serbisë Ivica Daçiq, ku ka biseduar për dialogun ndërmjet dy vendeve, një ditë pasi presidenti serb Aleksandër Vuçiq në një adresim për popullin serb theksoi se Serbia do të përballet me bllokim në integrim evropian, ndalim të investimeve dhe masa gjithëpërfshirëse, në kuptimin politik dhe ekonomik nëse nuk e pranon propozimin e ri evropian, i njohur si 'plani franko-gjerman'.
Ndërkohë, po dje, këshilltari i Lartë i Departamentit Amerikan të Shtetit, Derek Chollet, ka biseduar me telefon me kryeministrin Albin Kurti, të cilit i ka kërkuar ta pranojë propozimin e BE-së për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.