Rrugëtimi jetësor i Enver Petrovcit në radiodokumentar
Afërdita Rushiti/Radio Kosova
Të jesh aktor është sfidë, e të jesh një nga aktorët e gjeneratave të para të shqiptarëve të Kosovës e të arrish suksese të përmasave ndërkombëtare si shqiptarë në kohën e ish-Jugosllavisë, është edhe më sfiduese. Radiodokumentari i punuar nga Afërdita Rushiti, rrëfen rrugëtimin jetësor të aktorit Enver Petrovci.
Krejt rastësisht një aparat televiziv në kohën kur atë nuk e posedonin në çdo shtëpi, madje krejt 2-3 të tillë ishin në tërë Kosovën, e shtynë kryepersonazhin tonë të zgjedh këtë profesion. Ishte shumë i vogël, madje ende se kuptonte as se çfarë ishte saktë ky profesion, por mrekullia se si njerëzit mund të hynin në një kuti aq të vogël, i zgjoi dëshirën që të jetë njëri nga ata.
Është ky pra aktori Enver Petrovci, i lindur më 28 shkurt të vitit 1954 në Prishtinë, nga prindërit Naxhije dhe Bajram Petrovci.
Gjithsesi, nevojitet vetëm një shkëndijë e vogël dhe fëmija ndërron. E kur të punon pastaj shumë, edhe e arrin atë ëndërr. Enver Petrovci, një ndër aktorët e paktë shqiptarë, të asaj periudhe që arriti ta realizojë ëndrrën, e të hyjë në kutinë e vogël të quajtur aparat televiziv. E për të arritur deri atje, Enver Petrovci rrëfen rrugëtimin e tij jetësor, në radiodokumentarin e punuar për të nga Afërdita Rushiti.