Sveçla: Grupet kriminale nga Serbia, duan të krijojnë frikë në veri
Fadil Sertolli / RTKlive
(Plotësuar) Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, reagoi pas sulmit të sotëm me armë ndaj një patrulle policië në Zveçan.
Ai deklaroi se grupet kriminale serbe të mbështetura nga Serbia, po synojnë të krijojnë një atmosferë frike dhe pasigurie duke synuar zbatimin e ligjit.
“Qëllimi i tyre përfundimtar: ta bëjnë veriun e Kosovës një zonë të paligjshme, të drejtuar nga kriminelët”, shkroi Sveçla në Facebook.
“Përpjekjet e tyre përfundimisht do të dështojnë”, deklaroi ministri.
Në veri sulmohet me armë zjarri një automjet zyrtar i Policisë
Policia e Kosovës përmes një njoftimi për media, ka bërë të ditur se të premtën nga persona të dyshuar është shtënë me armë zjarri në drejtim të patrullës policore e cila ka qenë me detyrë zyrtare në lokacionin Banjskë – Izvor të komunës së Zveqanit.
Sipas njoftimit të policisë fatmirësisht nuk raportohet për zyrtar policor të lënduar, përveç dëmeve materiale të shkaktuara në veturën zyrtare të Policisë së Kosovës, përkatësisht në dritaren/xhamin e automjetit zyrtar nga ana e majtë e vozitësit, i cili dyshohet të ketë qenë edhe cak i sulmit me armë zjarri.
Tutje vazhdon njoftimi se lidhur me rastin janë ndërmarr veprimet e nevojshme operative hetimore, përfshirë edhe ekzaminimin e vendit të ngjarjes, nga ku është konstatuar se vetura është goditur me një predhë të armës së zjarrit.
“Njësitet relevante policore kanë vazhduar me hetime intensive, duke arritur të identifikojnë një veturë të dyshuar të braktisur (xhip-opel), në një rrugë malore në distance prej rreth 250 metra largësi, e cila dyshohet se mund të jetë e përfshirë në rast. Po ashtu në afërsi të automjetit të dyshuar janë vërejtur edhe gjurmët e personave të dyshuar të cilët kanë ikur në drejtim të panjohur”, thuhet në njoftim.
Policia thotë se automjeti i dyshuar i cili ka poseduar targa të dyshuara, të cilat dyshohet se nuk i përkasin të njëjtit automjet, është konfiskuar nga Policia e Kosovës për të vazhduar me procedurat e mëtejme hetimore dhe të ekzaminimit.
“Në bashkëpunim dhe koordinim me prokurorin kompetent është iniciuar rasti, vrasje në tentativë dhe sulm ndaj personit zyrtar. Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në realizimin e detyrave dhe utorizimeve ligjore në interes të sigurisë dhe rendit kushtetues të RKS-së”, thuhet në njoftim.