Edhe AAK kërkon shfuqizimin e vendimit për rritje të tatimit në pronë!
Lajme

Edhe AAK kërkon shfuqizimin e vendimit për rritje të tatimit në pronë!

B. H. / RTKlive

Pas Lidhjes Demokratike të Kosovës edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka kërkuar që të shfuqizohet aplikimi i rivlerësimit të fundit dhe faturat për vitin 2023 të llogariten sipas vlerësimeve të bëra para vitit 2022.

Përmes një reagimi në faqen e saj zyrtare, AAK ka thënë se “propozimi për faljen e tatimit në pronë për 100 euro përveç që është mashtrim, është edhe anti-ligjore”.

“Vendimi i Ministrisë së Financave për rritjen e tatimit në pronë, ka goditur direkt xhepin e qytetarëve, në këtë kohë kur çmimet për secilin produkt janë dyfishuar. Në mungesë të veprimeve serioze në shërbim të rritjes së mirëqenies socio-ekonomike, qeveria paska vendosur që përmes kuvendeve komunale të vazhdojë me mashtrim, me propozimin për faljen e tatimit në pronë për 100 euro. Kjo nismë është anti-ligjore, sepse Ligji për Tatimin në Pronë është i aprovuar nga Kuvendi i Kosovës dhe vetëm Kuvendi ka të drejtë ta ndryshojë ose të falë borxhet e tatimit në pronë", thuhet në reagimin e AAK-së.

Tutje partia që drejtohet nga Ramush Haradinaj ka kërkuar që kjo qasje, siç e ka quajtur, mashtruese të ndalet dhe të shfuqizohet aplikimi i rivlerësimit të fundit dhe faturat për vitin 2023 të llogariten sipas vlerësimeve të bëra para vitit 2022.


MË SHUME NGA Lajme