Haradinaj: Asociacioni është pengesa e fundit para njohjes nga Serbia
J.Musliu/RTKlive
Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, deklaroi se diskutimet dhe konsultat për Asociacionin kanë vetëm një synim.
“Synimi është heqja e pengesave të fundit drejt marrëveshjes së madhe me Serbinë, për njohje të ndërsjellë”, deklaroi Haradinaj në një postim në llogarinë e tij në Facebook.
Ai tha se ky është një obligim i marrë që duhet të zbatohet në përputhje me kushtetutën e Kosovës. “Dhe këtu çështja mbyllet”.
Sipas ish kryeministrit kosovar, të gjithë ata që asociacionin e paraqesin si çështje problematike, nuk e kanë hallin te asociacioni, por duan që asociacionin ta përdorin si “mbulesë” për ta kundërshtuar marrëveshjen e madhe.
“Këtë po e bën Serbia e fatkeqësisht këtë po e bën edhe Kryeministri i Kosovës”, deklaroi ai.
Haradinaj deklaroi se të gjitha vendimet dhe veprimet e qeverive në Prishtinë e në Beograd, në këta 4-5 muajt e fundit, që nga çështja e targave, tensionet në veri, dalja nga institucionet e serbëve lokalë, e deri te shpallja e zgjedhjeve në veri, kanë qenë obstruksionizëm i Planit Evro-Amerikan.
“Kjo lojë politike duhet të marrë fund dhe Kosova duhet t’i fokusojë krejt potencialet politike, intelektuale e qytetare në kryetemën e saj që është “marrëveshja e madhe për njohje të ndërsjellë me Serbinë”.
“Kjo marrëveshje mund të arrihet vetëm duke qenë të koordinuar ngushtë me SHBA dhe BE”.
Aktualisht, Haradinaj ndodhet në SHBA ku do të marrë pjesë në ‘Lutjet e Mëngjesit’.