Përfundon takimi për Asociacionin në ambasadën amerikane
Jeton Musliu/RTKlive
(E plotësuar) Ka përfunduar takimi për çështjen e Asociacionit i thirrur nga ambasada amerikane në Prishtinë.
(E plotësuar) Gjithçka gati për takimin në Ambasadën amerikane
Ambasada e SHBA-së në Kosovë, ka publikuar një fotografi të sallës ku do të mbahet sot takimi i liderëve politikë e institucionalë të Kosovës, organizuar nga ambasadori Jeff Hovenier.
“Sot në mëngjes, Ambasada e SHBA-së në Prishtinë do të mbajë një takim për Asociacionin e Komunave me shumicë Serbe (ASM) në Kosovë”, shkruan në legjendën e fotografisë.
“Ne mezi presim të dëgjojmë perspektiva të menduara nga një grup i ndryshëm liderësh të shoqërisë civile, zyrtarë qeveritarë dhe liderë politikë”.
Përndryshe, me ftesë të Ambasadës amerikane në Prishtinë, mbahet një diskutim për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, i cili pritet të fillojë në orën 10:00.
Ftesa për këtë takim i është dërguar Presidencës dhe Kryeministrisë së Kosovës si dhe Zyrës së kryetarit të Kuvendit të Kosovës.
Në takim janë ftuar edhe Zëvëndëskryeministrja dhe ministrja e Punëve të Jashtme e Diasporës, Donika Gërvalla, Zëvëndëskryeministrja Emilja Rexhepi, ministri Nenad Rashiq, ministrja Arbërie Nagavci e ministri Arben Vitia.
PDK-ja në këtë takim do të përfaqësohet nga Bernard Nikaj, LDK-në në këtë takim do ta përfaqësojë nënkryetari i parë i këtij subjekti politik, Lutfi Haziri kurse AAK-në, nënkryetari Ardian Gjini.
Siç njofton Donika Sherifi, gazetare e RTK-së e cila po ndjek nga afër këtë taki, deri në orën 10:00, në Ambasadë, kanë mbërritur Lutfi Haziri i LDK-së si dhe ministrat Arben Vitia, Arbërie Nagavci, Emilja Rexhepi e Nenad Rashiq.
Ambasada e SHBA-ve, sot nikoqire e një diskutimi për Asociacionin
Afet Bela/ RTKlive
Ambasadori amerikan Jeff Hovenier sot do të takohet me përfaqësues politikë dhe të shoqërisë civile në Kosovë për të diskutuar për Asociacionin
Takimi është paralajmëruar se do të mbahet në ambasadën e SHBA-ve në Prishtinë,ku pritet të jenë të ftuar një numër i konsiderueshëm i shoqërisë civile.
Në këtë takim pritet të dëgjohen propozime nga aktivistë të shoqërisë civile në Kosovë, për atë se si do të duhej të dizajnohet Asociacioni.
Diskutimi pritet të nisë në orën 10:00. Pjesëmarrjen në të e kanë konfirmuar përfaqësuesit e Kryeministrisë dhe Presidencës, por edhe të dy partive opozitare në Kosovë, Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Partisë Demokratike të Kosovës.