Kurti: Me sistem të ri të pagave ka barazi e ndershmëri mes kategorive
E. Hoti/ RTKlive
Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka thënë se me sistem të ri të pagave nuk do të ketë më stagnim të pagave pafundësisht.
Në një postim në rrjetin social Facebook, Kurti ka thënë se është ngushtuar hendeku mes pagave të zyrtarëve të lartë dhe të tjerëve.
“Barazi dhe ndershmëri për pagat në mes të kategorive, ngushtim të hendekut midis zyrtarëve të lartë dhe të tjerëve, si dhe mbështetje solide për katër kategoritë jetike për funksionimin e shoqërisë, atë të mjekëve, arsimtarëve, policëve dhe ushtarakëve”, ka shkruar Kurti.
Sipas tij, pagat do të lëvizin sipas rritjes, punës dhe rezultateve në rritjen ekonomike të vendit.
“Tash e tutje nuk do të ketë më stagnim të pagave pafundësisht. Ato do të lëvizin sipas rritjes, punës dhe rezultateve që kemi të gjithë ne bashkë në rritjen ekonomike të vendit”, ka shkruar Kurti.
Në disa fotografi të bashkëngjitura janë paraqitur edhe rritjet e pagave.
Qeveria e Kosovës, në mbledhjen e sotme, ka vendosur që koeficienti i pagave të jetë 105 euro për vitin 2023, e 110 euro për vitin 2024.























