Opozita kundërshton vendimin e Qeverisë, kërkon koeficient në vlerë 125 €
M.Shefkiu/RTKlive
Partitë opozitare, PDK, LDK e AAK e kanë kundërshtuar caktimin e koeficientit për pagat në vlerë 105 euro nga Qeveria e Kosovës, duk e konsideruar këtë si goditjen më të madhe për njerëzit e zakonshëm në këtë krizë, siç e quajnë, të paprecedentë të kostos së jetesës. Këto parti opozitare do të propozojë amandamentimin e Ligjit për Buxhetin, me kërkesën për rritje të koeficientit në vlerën 120 euro.
PDK: Qeveria e Kosovës ka goditur edhe një herë standardin e jetesës
Koordinatori i Departamentit për Financa në Kabinetin për Qeverisje të Mirë, Arben Mustafa, e ka kritikuar ashpër Qeverinë e Kosovës pas publikimit të koeficientit të pagave në vlerë 105 euro.
Mustafa në një konferencë për media tha se Qeveria e Kosovës ka goditur edhe një herë standardin e jetesës të shumë qytetarëve të Kosovës duke paraqitur një koeficient të pagave që nuk i përmbushë nevojat e tyre.
Me këtë koeficient, sipas PDK-së, shumë kategorive të rëndësishme të punonjësve publikë nuk i ofrohet një pagë dinjitoze, ndërsa shumë të tjerave madje u zvogëlohen pagat në këtë periudhë të rëndë të krizës.
“Ende pa kaluar tronditja nga shtrenjtimi i faturave të tatimit në pronë, kjo qeveri ndërmerr një goditje tjetër, atë të ndëshkimit me pagë të kategorive të ndryshme të punonjësve të sektorit publik, duke lënë kështu qytetarët në pasiguri të lartë se cilat do të jenë veprimet e radhës të kësaj qeverie”, tha Mustafa.
Prandaj, PDK do të propozojë amandamentimin e Ligjit për Buxhetin, me kërkesën për rritje të koeficientit në vlerën 120 euro.
“Gjatë kësaj qeverisje, rritje substanciale kanë shënuar vetëm çmimet dhe emigrimi, por jo edhe standardi i jetesës së qytetarëve. Për Partinë Demokratike të Kosovës, çdo koeficient page nën 120 euro vetëm se rritë degradimin që ka kapluar standardin e jetesës në Kosovës dhe kontribuon në humbjen e mëtejme të shpresës për një jetë të dinjitetshme në Kosovë. Partia Demokratike e Kosovës do të propozoj amendament në Ligjin për Buxhetin, me kërkesën për rritje të koficientit në vlerën 120 euro”, njoftoi Mustafa.
LDK propozon vlerën e koeficientit prej 125 euro
Edhe Lidhja Demokratike e Kosovës nëpërmjet një komunikate për media kundërshton caktimi e koeficientit prej 105 eurosh.
“Në krizën më të madhe ekonomike dhe sociale të viteve të fundit, LDK konsideron se partia në pushtet ka thyer premtimin e tyre për të ndihmuar njerëzit e zakonshëm pas rritjes së kostos së jetesës. Koeficienti i ri prej 105 euro do të thotë se Qeveria ka vendosur të ulë pagat për mijëra punëtorë në gjithë Kosovën dhe s’i rritë mjaftueshëm për shumë të tjerë”, konsideron LDK.
Sipas kësaj partie, mësuesit, punonjësit e shëndetësisë, policët, ushtarët, nëpunësit civil, këto janë profesionet që janë themeli i shoqërisë kosovare të cilat kanë sakrifikuar më së shumti në kohët më të vështira për vendin tonë.
“Koeficienti i Qeverisë është një goditje e madhe për njerëzit e zakonshëm që përpiqen të përballojnë jetesën gjatë një krize të paprecedentë të kostos së jetesës. Ky vendim i Qeverisë tregon se ata nuk i kuptojnë sfidat me të cilat përballen njerëzit e zakonshëm në mbarë vendin duke u përpjekur të kalojnë kushtet e vështira ekonomike. Kjo tregon edhe një herë se sa larg realitetit është Qeveria”, konsideron LDK.
Kjo parti ka propozuar vlerën e koeficientit prej 125 euro për të bërë një ndryshim të vërtetë për ata që kanë nevojë më shumë për të tejkaluar krizën e kostos së jetesës.
“Menjëherë LDK do të dërgojë dhe amendament në Kuvendin e Kosovës. LDK do të punojë në vazhdimësi për mbrojtjen e punëtorëve dhe familjeve duke argumentuar domosdoshmërinë e një koeficienti më të lartë dhe pagave më të drejta për të përballuar këtë krizë. Kosova meriton më mirë, Kosova mund të bëjë më shumë”, konsideron LDK.
Haradinaj: Ky koeficient është alarmues dhe mashtrues
Koeficientin prej 105 eurosh e ka kundërshtuar edhe partia tjetër opozitare, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës. Kryetari i kësaj partie Ramush Haradinaj ka thënë se qeveria e re e Kosovës, që në ditën e parë të punës duhet ta rris koeficientin.
"Qeveria e re, në ditën e parë të punës, në takimin e parë, vendimin e parë të marrë për ta rritur koeficientin e pagave që përjetë të respektohen zyrtarët në sektorin publik", ka shkruar Haradinaj.
Ai ka thënë se qeveria e ka fshehur qëllimshëm koeficientin deri tani për t'i zënë në befasi të pakënaqurit me këtë vendim.
"Përndryshe, sot qeveria i vuri vulë mashtrimit. Fshehja e deritashme e koeficientit kishte për qëllim t'i zë në befasi të pakënaqurit me këtë vendim. E ata janë shumë! Krejt ky veprim i qeverisë, në mënyrë që të sabotojë mundësinë për sfidimin dhe shfrytëzimin e proceseve dhe mekanizmave ligjorë kundër këtij ligji, i cili nëpunësit dhe profesionistët shtetërorë i trajton si 'armiqësorë', i anatemon", është shprehur Haradinaj.
Sipas Haradinajt, ky koeficient është alarmues dhe mashtrues. "Ligii sipas këtij koeficenti ka krijuar terren për keqkuptime ndaj kundërshtimeve opozitare të një vendimmarrjeje qeveritare arbitrare dhe përjashtuese. Kjo qasje është fyese! Ky koeficient është alarmues dhe mashtrues!", ka përfunduar Haradinaj.























