Mehaj: Është nisur kontingjenti i FSK-së për kërkim-shpëtim në Turqi
Fadil Sertolli / RTKlive
Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, ka bërë të ditur se tashmë është nisur kontingjenti i parë i FSK-së në operacionin e kërkim-shpëtimit në zonat e prekura nga tërmeti në Turqi.
Mehaj përmes një statusi në Facebook ka bërë të ditur se Task-forca përbëhet nga specialistët e FSK-së të kërkim-shpëtimit urban, mjekësi emergjente dhe njësitë K9.
“Pas konsultave me Gjeneral Jasharin, kontakteve direkte gjatë tërë ditës me homologun tim turk, Ministrin e Mbrojtjes, Hulusi Akar, vendimin e kryeministrit Kurti dhe autorizimit nga ana e Presidentes Osmani, nisëm kontingjentin e specializuar të FSK-së për operacionin humanitar në Turqi për reagim me rastin e tërmetit të sotëm”, ka shkruar ministri Mehaj.
Ai ka thënë se varësisht nga nevojat dhe kërkesat e ditëve në vijim do të shtojmë kapacitetet reaguese për reagim, kërkim- shpëtim dhe sanim të pasojave të tërmetit.
“Republika e Kosovës ka ushtrinë profesionale me moral të lartë për të qenë në shërbim të vendit dhe vendeve e popujve miq kudo dhe kurdo që shfaqet nevoja”, ka shkruar Mehaj.