Bislimi: Finlanda mbështet Kosovën në proceset e integrimit evropian
N.Mekolli /RTKlive
Zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Kosovës, Besnik Bislimi, priti në takim Ambasadorin e Finlandës në Kosovë, Matti Nissinen.
“Miqësia dhe partneriteti me Finlandën shtrihet në sfera të shumta të bashkëpunimit në mes dy vendeve tona”, ka thënë Bislimi.
Bëhet e ditur se zëvendëskryeministri shprehu mirënjohjen për mbështetjen e Finlandës në proceset e integrimit evropian. U riafirmua dhe nga ambasadori Nissinen mbështetja e palëkundur e shtetit të Finlandës në aplikimin e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës dhe në Bashkimin Evropian.
“Kosova i përket familjes evropiane dhe hap pas hapi ecën drejt përmbushjes së objektivit strategjik dhe afatgjatë të anëtarësimit në strukturat dhe organizmat evropianë”, tha ai.
“Në takim u diskutua dhe mbi procesin e dialogut ku Qeveria e Republikës së Kosovës ka një qasje aktive dhe konstruktive, është e angazhuar për dialog parimor, nga i cili duhet të përfitojnë qytetarët e të dyja vendeve. Propozimi evropian për normalizim të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është i pranueshëm si bazë e mirë për diskutime të mëtejme dhe platformë solide për të ecur përpara”, njofton zyra për informim e Kryeministrisë.