Gjilan, dënohet gardiani dhe i paraburgosuri për blerje e shitje të drogës
M.Shefkiu/RTKlive
Gjykata Themelore në Gjilan ka shpall aktgjykim dënues ndaj të akuzuarve K. R. dhe S. L, për blerje, posedimi, shpërndarja dhe shitje të narkotikëve. I pari akuzohen me 500 euro gjobe dhe një vit burg, ndërsa i dyti (S.L) me 500 euro gjobë dhe 3 muaj burgim.
Sipas vendimit të Gjykatës, i akuzuari K. R. me datë 01.11.2022, rreth orës 14:30 minuta, në Qendrën e Paraburgimit në Komunën e Novobërdës, në cilësinë e personit zyrtar, zyrtar korrektues, pa autorizim ka shpërndatë substanca apo preparate të cilat janë shpallur me ligj si narkotikë, substanca psikotrope ose substanca analoge.
Sipas aktakuzës, derisa ishte në orarin e punës si zyrtarë korrektues, K.R, shkon në katin P-2, dhomën nr.7 dhe komunikon me të paraburgosurin S. L., ku përmes vrimës se vrojtimit, e ka nxjerrë nga xhepi i pantallonave të uniformës zyrtare sasinë e substancës narkotike të llojit kokainë dhe marihuanë dhe ja jep në dorë të paraburgosurit dhe më pas intervenojnë pjesëtarët e tjerë të shërbimit korrektues dhe në dhomën e tij gjejnë: një qese plasmani me kokainë në peshë prej 2.57 gram dhe një qese plasmani me marihuanë në peshë prej 7.46 gram.
“Me këto veprime, i pandehurit ka kryer veprën penale; blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substanca psikotrope dhe analoge, neni 267 paragrafi 2, të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK), lidhur ne nenin 275 paragrafi 1 nën paragrafi 1.2 dhe 1.8 të KPRK-së”, thuhet në njoftimin e Gjykatës Themelore të Gjilanit.
I pandehuri S. L, sipas njoftimit, me datë 01.11.2022, rreth orës 14:30 minuta, në Qendrën Paraburgimit në Komunën e Novobërdës, pa autorizim posedon substancë narkotike, substancë psikotrope apo analoge, në atë mënyrë që, pas intervenimit të zyrtarëve korrektues në katin P-2, në dhomën nr.7, në dhomën e tij gjejnë: një qese plasmani me kokainë në peshë prej 2.57 gram, dhe një qese plasmani me marihuanë në peshë prej 7.46 gram.
Me këto veprime, sipas Gjykatës, i akuzuari ka kryer veprën penale posedimi i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge nga neni 269 paragrafi 1 të KPRK-së.
“Trupi gjykues nga Departamenti i Krimeve të Rënda, ka shpall aktgjykim dënues ndaj të akuzuarit K. R. duke i shqiptuar dënim me gjobë në shumë prej 500 (pesëqind) euro dhe dënim me burgim në kohëzgjatje prej 1 (një) viti, gjithashtu të njëjtit i shqiptohet edhe dënimi plotësues; ndalimi i ushtrimit të profesionit, veprimtarisë ose detyrës, në kohëzgjatje prej 1 (një) viti, pas mbajtjes së dënimit me burgim. Të akuzuarit S. L. i shqiptohet dënim me gjobë në shumë prej 500 (pesëqind) euro dhe dënim me burgim në kohëzgjatje prej 3 (tre) muaj”, thuhet në njoftim.
Palët e pakënaqura, sipas Gjykatës, kanë të drejtën e ankesës ndaj këtij vendimi në Gjykatën e Apelit.























