Kurti falënderon deputetin Sobel dhe MB për përkrahjen që i japin Kosovës
N.Mekolli /RTKlive
Kryeministri Albin Kurti ka falënderuar deputetin laburist, Alex Sobel, i cili në Parlamentin e Mbretërisë së Bashkuar ka shprehur përkrahjen e tij për Kosovën.
Kreu i qeverisë, në një postim në Twitter, ka shkruar se Mbretëria e Bashkuar ka qenë gjithmonë një mbështetëse dhe aleate e vendosur e Kosovës.
“Shumë faleminderit deputetit laburist, Alex Sobel, i cili ka folur për situatën në Kosovë në Parlamentin e Mbretërisë së Bashkuar. Mbretëria e Bashkuar ka qenë gjithmonë një mbështetëse dhe aleate e vendosur e vendit tonë”, ka shkruar Kurti.
Deputeti Alex Sobel, një ditë më parë, në Parlamentin e Mbretërisë së Bashkuar, ka shprehur përkrahjen e tij për Kosovën. Ai ka përkujtuar se Mbretëria e Bashkuar ka luajtur një rol të madh në ndalimin e gjenocidit 20 vjet më parë.
“Kosova është një vend i ri, ku Mbretëria e Bashkuar luajti një rol të madh në ndalimin e gjenocidit 20 vjet më parë, situata po përkeqësohet sërish me praninë malinje të Rusisë, duke nxitur tensionet në rajon.
Unë fola për atë që mund të bëjë Mbretëria e Bashkuar për të mbështetur Kosovën” ka shkruar deputeti Sobel në Twitter.
























