PDK dërgon Projektligjin për Byronë në Kushtetuese, reagon ministrja Haxhiu
BKT
Foto: RTKlive
Lajme

PDK dërgon Projektligjin për Byronë në Kushtetuese, reagon ministrja Haxhiu

Jeton Musliu/RTKlive

Partia Demokratike e Kosovës ka dërguar Projektligjin për Byronë Shtetërore për Verifikim dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme në Gjykatën Kushtetuese.

Përparim Gruda, koordinator i Departamentit për Drejtësi në PDK ka deklaruar se ky projektligj shkelë shumë aspekte të drejtave njeriut, të cilat i mbron Kushtetuta e Kosovës.

Por ndaj këtij veprimi, ka reaguar ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, e cila ka deklaruar se janë mbajtur qindra mbledhje deri në hartimin dhe harmonizimin e projekt-ligjit mbi të cilën Byroja do të merrte jetë.

“Për të qenë edhe më korrekt, pas kërkesës së opozitës dhe para miratimit në parim, projekt-ligjin e dërguam edhe në Komisionin e Venecias si institucionin më kredibil për demokraci nëpërmjet ligjit”, deklaroi Haxhiu. “Pasi kaloi të gjitha hallkat e verifikimit më në fund u soll në Kuvend për t’u votuar në leximin përfundimtar”.

Sipas ministres, nuk ka institucion më të lartë në kontinentin tonë për të shuar dilemat e opozitës sesa Komisioni i Venecias.

“Madje edhe vet Gjykata Kushtetuese në rastet sidomos më komplekse, konsultohet me Komisionin e Venecias”, deklaroi ajo.

Kësisoj, ajo beson se dërgimi i Ligjit për Byronë për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme në Gjykatën Kushtetuese, ka për qëllim zvarritjen e reformave.

“Mund të luftohen e sabotohen, por reformat që kemi nisur në shumë drejtime përbrenda sistemit të drejtësisë tashmë kanë marrë drejtimin e duhur dhe nuk mund t’i ndalojë askush, aq më shumë ata që janë përgjegjës për shkatërrimin e institucioneve”.

Ky projektligj u miratua në Kuvend më 9 shkurt në lexim të dytë.

 


MË SHUME NGA Lajme