Krasniqi: Qytetarët e Kosovës e kanë humbur besimin në institucione
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, përmes një postimi në Facebook ka bërë të ditur se të enjten ka qëndruar në Gjilan, ku siç shkruan ai, ka takuar strukturat e PDK-së në këtë Degë, kryesinë e Rinisë Demokratike të Kosovës, si dhe drejtorët e asamblistët nga radhët e PDK-së, të cilët i ka përgëzuar për punën e mirë që po e bëjnë në kuadër të përgjegjësive që u janë besuar nga qytetarët e Gjilanit.
Krasniqi shkruan se turin e takimeve në Gjilan e ka përmbyllur me qytetarët e Zhegrës, një vend që sipas tij, ndër breza ka nxjerrë personalitete të shquara, prej Idriz Seferit, te Agim Ramadani e deri te Xherdan Shaqiri.
“Numri i banorëve në Zhegër po ulet dita-ditës për shkak të braktisjes së vendit nga të rinjtë, si pasojë e pasigurisë në punë, degradimit të sistemit shëndetësor dhe rritjes enorme të kostos së jetesës. Për fat të keq, sot shumë rinj në Kosovë nuk e imagjinojnë një të ardhme të sigurt në vend, sepse qeverisja aktuale nuk po i plotëson as për së afërmi nevojat dhe kërkesat e qytetarëve”, ka shkruar kreu i PDK-së.
Qytetarët e Kosovës, sipas tij, e kanë humbur besimin në institucione, prandaj detyrë e secilit duhet të jetë rikthimi i Kosovës në binarët e zhvillimit dhe përparimit.
“PDK-ja është e përkushtuar për këtë detyrë dhe do të bëj çdo përpjekje për të krijuar kushtet e favorshme që të rinjtë tanë të qëndrojnë - madje edhe të kthehen në Kosovë me përvojën e tyre nga jashtë. Besimi në Kosovë - Ky duhet të jetë misioni ynë i përbashkët”, përfundon i pari i PDK-së Memli Krasniqi.























