Prishtina mposht Llapin, Gjilani fiton ndaj Trepçës `89, Ballkani barazon
Uran Krasniqi/RTKLive
Prishtina ka mposhtur bindshëm Llapin në ndeshjen e javës së 22-të në Superligën e Kosovës në futboll.
Gjithashtu fitore ka shënuar edhe Gjilani kundër Trepçës '89, kurse Ballkani ka barazuar me Dukagjinin.
Klubit nga Podujeva nuk i ka shërbyer të qenit vendas për ta nxjerrë një rezultat pozitiv kundër Prishtinës. Rezultati përfundimtar ka qenë 0-2. Të dy golat janë shënuar në pjesën e parë. Ka qenë Prapashtica ai që fillimisht ka gjetur rrjetën, ndërsa goli i dytë ka qenë një dhuratë e portierit Avdyli për Krasniqin, i cili me një prekje të rastësishme e ka dërguar topin në rrjetë.
Ndërkohë Gjilani pas barazimit me Malishevën në javën e kaluar sot e ka gjetur fitoren. Ka triumfuar me rezultat minimal kundër Trepçës '89. Goli i vetëm ka ardhur nga Dabiqaj njëmbëdhjetë minuta para se gjyqtari të jipte shenjë për mbarimin e ndeshjes.
Edhe pse kampion në fuqi si dhe lider aktual i tabelës, Ballkani nuk ia ka dalë që të arkëtojë tri pikë në ballafaqim me Dukagjinin e Klinës. Madje klinasit ia kanë dalë që të shënojnë të parët, kur John në minutën e tetëmbëdhjetë ka çuar topin drejt rrjetës. Barazimi i suharekasve ka ardhur në minutën e pesëdhjetë e pestë përmes sulmuesit Rrahmani.
Pas këtyre rezultateve, Ballkani vazhdon kryesimin në tabelë me dyzet e tetë pikë, Gjilani gjendet në vendin e tretë, Prishtina në vendin e katërt, Llapi në vendin e pestë, Dukagjini në vendin e gjashtë dhe Trepça '89 në vendin e tetë.























