Simeone: Mund të fitonim, gjyqtarët vazhdojnë ta favorizojnë Realin
Uran Krasniqi/RTKLive
Trajneri i Atletico Madridit, Diego Simeone, ka thënë se derbi ndaj Real Madridit i ka lënë atij shijen e një ndeshje që do të mund të fitohej. Sipas tij, vazhdimisht Real Madrid po gjen trajtim preferencial nga gjyqtarët.
Në ndeshjen e të shtunës skuadrat u ndanë baraz 1-1. Atletico ia doli që të avancojë me gol, por jo edhe ta mbrojë rezultatin.
“Ne kemi mbetur me ndjenjën se mund ta kishim fituar ndeshjen. Ne e dinim që Real Madridi në fund të ndeshjeve është shumë i rrezikshëm. Kapërcyem dëmtimin e Reinildos, gjithashtu u rikuperuam nga përjashtimi i Correas dhe kaluam në epërsi. Mund të ishim mbrojtur më mirë për të mos pranuar golin e barazimit, por duhet të vazhdojmë në këtë rrugë pozitive", ka thënë trajneri argjentinas.
Simeone ka mbetur i zemëruar për arbitrimin.
“Është e njëjta histori. Është normale dhe është bërë normale që arbitrat të favorizojnë Real Madridin dhe kjo nuk është e drejtë", ka thënë ai.























