Kurti:Krismat e Jasharëve frymëzuan gjithë luftën për liri të Kosovës|Video
RTKlive
( E plotësuar, ora 17:20) Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në Akademinë Përkujtimore në shënim të 25-vjetorit të Epopesë së UÇK-së, të mbajtur sot në Prishtinë, tha se aksioni kriminal i Serbisë në familjen Jasharaj vrau 59 persona.
‘Ishin ato krisma që e shumëfishuan mobilizimin e vullnetarëve nga radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe ishin po ato krisma që frymëzuan gjithë luftën për liri deri në çlirimin e Kosovës nga Serbinë në qershor të viti 1999”, tha ai, raporton RTKlive. Shefi i ekzekutivit tha se krismat e Jasharajve të Prekazit u shumëzuan më numrin e ushtarëve të UÇK-së, duke u shumëfishuar. Ai tha se rezistenca e Jasharëve ishte akti kulmor.
“6 marsi është e dyta nga tri ditët e Epopesë së UÇK-së, mes 5 dhe 7 marsit të vitit 1998, kur për dy netë dhe tri ditë, në shtëpitë e Shaban Jasharit dhe në lagjen Jashari në Prekaz, u rezistua me armë përballë mijëra trupave policore të Serbisë, që po kryenin një aksion kriminal i cili vrau 59 veta”, tha ai.
Sipas tij dëshmitarët e mbijetuar të asaj rezistence të lavdishme, sikur Gjenerali Bashkim Jashari, kujtojnë se si gjatë luftimeve, nga krismat shurdhuese të mijëra predhave të hedhura prej forcave serbe, ata nuk arrinin që t’i dëgjonin as krismat e armëve të tyre.
“Por ato krisma me jehonën e tyre të gjatë, u dëgjuan shumë më larg, nga populli i Kosovës dhe mbarë kombi shqiptar e deri te liderët e politikës dhe diplomacisë ndërkombëtare atë kohë. Sepse ishin ato krisma që e shumëfishuan mobilizimin e luftëtarëve vullnetarë në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe ishin po ato krisma që frymëzuan gjithë luftën për liri deri në çlirimin e Kosovës nga Serbia në qershor të vitit 1999. Krismat e pushkëve të Jasharëve të Prekazit, u shumëzuan me numrin e ushtarëve të UÇK-së, duke u shumëfishuar dhe duke dhënë për rezultat krismat edhe më të mëdha të armëve të aleatëve tanë të Perëndimit, që na u bashkuan në luftë për çlirimin e Kosovës përmes ndërhyrjes së NATO-s”, tha ai.
Rezistenca e Jasharëve të Prekazit më 5, 6 dhe 7 mars 1998, sipas Kurtit ishte akti kulmor në dramën me shumë akte të përpjekjeve të popullit shqiptar për çlirimin e Kosovës nga Serbia pushtuese dhe okupatore.
“Në skenën e historisë moderne të Kosovës, Komandanti Adem Jashari nuk pati vetëm rol kyç, por ai ishte edhe autori edhe aktori i asaj shfaqje lufte të lavdishme, që ia solli lirinë Kosovës. Deri te Epopeja e 5, 6 dhe 7 marsit 1998, Adem Jashari erdhi pasi ishte përgatitur dhe stërvitur gjithë jetën, duke e shkruar dhe luajtur vetë rolin e tij në histori. Kur u armatos, u stërvit dhe e nisi luftën, ai nuk priti askë dhe nga askush t’i jepte rol në historinë e shqiptarëve, sepse ai e krijoi dhe e jetoi vetë rolin e tij si Kryekomandanti i të gjithë çlirimtarëve të Kosovës dhe i çdo përpjekje për liri. Shpeshherë, njerëzit nuk janë të vetëdijshëm në kohë reale teksa e bëjnë historinë. Por ky nuk ishte rasti me Adem Jasharin. Me ndërgjegjen e tij aq të thellë për nevojën që të luftohej për lirinë e Kosovës, ai na e dha shembullin më fisnik si individ dhe si frymë për luftëtarët e UÇK-së, për nivelet e larta që mund të arrijë vetëdija e një populli për liri”, tha ai.
Sipas tij Shabani, Hamza dhe Ademi bashkë dhe me të rënët e tjerë të familjes Jashari, kanë rënë për lirinë e të gjithë neve, si dhe për lirinë e atyre që mbetën pas nesh.
“Pra, për bacin Rifat, për djemtë Muratin, Bashkimin, Lulzimin, Bekimin, dhe Fazliun si dhe për vajzat Besartën, Shqipen, Marigonën dhe Ilirianën. E ndër vitet e pasluftës, kësaj familje i janë shtuar edhe shumë anëtarë të tjerë, shumë anëtarë të rinj, që duke u përtrirë emrat e të rënëve të familjes nga Shabani, Hamza dhe Ademi e më tutje, ata kanë trupëzuar në jetë të reja njerëzore edhe frymën e atyre të rënëve për lirinë e Kosovës, duke na bërë me praninë e tyre sot ta ndjejmë këtë frymë edhe pas 25 viteve të rënies heroike të tyre. Paçi shumë lumturi e shëndet në jetë, ashtu siç patën shumë dashuri e guxim të parët tuaj deri në vdekje për atdheun tonë të përbashkët”, tha ai.
Përfaqësuesi i familjes Jashari, Bekimi tha se “Epoja e UÇK-së, na kujton sakrificën për liri dhe se shtetin e kemi amanet nga të rënët për lirinë e Kosovës.
Rifat Jashari: Të jemi të bashkuar që ta tejkalojmë këtë sfidë me Serbinë
(E plotësuar) Përfaqësuesi i familjes Jashari, Rifat Jashari, me një fjalë rasti, përshëndeti të pranishmit në seancën e Kuvendit të Republikës së Kosovës, të mbajtur për nder të Epopesë së UÇK-së, të rezistencës së familjes Jashari më 5,6,7 Mars të vitit 1998. 
Ai, me këtë rast, theksoi se në këtë Kuvend, ku merren vendime të rëndësishme për të ardhmen e vendit, ju preferoj që të jini një gjuhe, të një qëndrimi, që ta tejkalojmë këtë sfidë që kemi përpara.
“Të ndahemi një herë e mirë prej Serbisë e pastaj kemi kohë me u marrë me të tjerat”, deklaroi Rifat Jashari, prijësi i familjes Jashari.
Kurti: Adem Jashari, figurë themeltare në historinë e UÇK-së dhe të Kosovës

(E plotësuar) Qëndresa e familjes Jashari do të kthehej në rezistencë, shembull që frymëzoi gjithë shqiptarët e Kosovës dhe kombin mbar për t’u çliruar nga Serbia dhe për të ndërtuar shtetin e Republikës së Kosovës në liri.
“Në historinë e UÇK-së dhe të Kosovës rezistenca e Jasharëve të Prekazit dhe figura e Adem Jasharit janë themeltare e qendrore e të tilla do të mbeten përjetë”, deklaroi kryeministri Kurti, në seancën solemne kushtuar Epopesë së 5,6,7 Marsit, në Prekaz.
Më tej, kryeministri Kurti, derisa shpalosi të bëmat e familjes Jashari ndër vite, vuri në dukje edhe angazhimin e institucioneve shtetërore për ruajtjen dhe restaurimin e Kompleksit memorial, “Adem Jashari”, ku sipas tij, Prekazi të mund të shndërrohet në një peisazh kulturor e historik, ku shqiptarët dhe do të mund të shkojnë për të parë, jo vetëm vendin ku është jetuar dhe luftuar, por për t’u njohur me gjithë historinë e Jasharëve të Prekazit, të UÇK-së, të vuajtjeve të shqiptarëve nën Jugosllavi dhe të luftës së paepur të popullit shqiptar për t’u çliruar nga Serbia.
(E plotësuar) Konjufca : Lufta e Jasharëve, e pashembullt edhe në historinë botërore

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka mbajtur fjalim me rastin e 25-vjetorit të Epopesë së UÇK-së.
Në seancën solemne që po mbahet të hënën në Kuvendin e Kosovës në nder të Epopesë së UÇK-së, Konjufca tha se lufta e Prekazit dhe sakrifica e Jasharëve është ngjarje e pashembullt dhe një të ngjashme nuk e njeh as historia e botës.
“Lufta e Prekazit dhe sakrifica e Jasharëve është ngjarje e pashembullt, jo vetëm në historinë tonë kombëtare , por një të ngjashme nuk e njeh as historia e botës. Familja e gjerë Jashari , tre breza në kullën e tyre shekullore , në tokën e lashtë të stërgjyshërve, nga baca Shaban e deri te Blerimi i vogël, e shpallën lirinë e popullit tonë dhe e mbrojtën atë deri në vetëflijimin e tyre të plotë. Lufta ishte aq legjendare, sakrifica aq sublime, kurse vetëmohimi aq tronditës, sa që kombi shqiptar kaloi në një dimension tjetër të vetëdijes, kurse bota u zhvendos nga orbita e vet politike. Ky është moment kur Ushtria Çlirimtare e Kosovës u bë frymë dhe e përfshiu të gjithë popullin tonë”, tha ai.
Konjufca tha se 5, 6 dhe 7 Marsi i vitit 1998 është kthesa kur sakrifica bëhet epope.
“5, 6 dhe 7 Marsi i vitit 1998, është kthesa kur sakrifica bëhet epope. Ne, për liri kemi luftuar gjatë dhe gjatë historisë kemi dhënë shumë. Por lufta e Prekazit dhe rënia e Jasharëve është kondensimi i gjitha përpjekjeve tona të pareshtura”, tha kryetari i Kuvendit, Glauk Kojufca .
Kreu i Kuvendit tha se lufta e Prekazit përmban të gjithë mundin, vetëdijen kombëtare dhe gatishmërinë e të gjitha gjeneratave të mëparshme për liri.
(E plotësuar)Osmani:Ngjarjet e Marsit, pjesë e rëndësishme e trashëgimisë sonë historike

Çdo fillimmars vështrimi ynë qytetarë e institucionalë kthehet nga ngjarjet historike, të cilat kanë shenjuar një kthesë vendimtare për kombin tonë dhe janë ngulitur fort në kujtesën e qytetasve të Republikë së Kosovës.
“Këto ngjarje janë pjesa më e rëndësishme e trashëgimisë sonë historike mbi të cilën në shtresojmë secilën përpjekje tonën për ta konsoliduar shtetin tonë për të cilin breza të tërë kanë sakrifikuar jetën e tyre”, deklaroi kryetarja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani-Sadriu.
Ajo më tej shtoi se ngjarjet e 5,6,7 Marsit të vitit 1998, përbëjnë jo vetëm kujtesën tonë për historinë më të re të Kosovës, por edhe një nga shtyllat më të forta mbi të cilat u ngrit shteti ynë i ri, Republika e Kosovës.
“Kushtrimi i dhënë më 5, Mars nga Komandanti Legjendar Adem Jashari, bashkë me familjen e tij, ishte kushtrimi i mobilizimit i djemve dhe vajzave të UÇK-së, të cilët, përgjatë tri ditëve të betejës, me përballje heroike fituan përjetësinë”, deklaroi, mes tjerash, kryetarja Osmani-Sadriu.

Abdixhiku: Epopeja e UÇK-së, kujtim për përpjekjen tonë kolektive për liri
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka deklaruar se të kujtosh e shënosh Epopenë e UÇK-së, do të thotë të kujtosh e shënosh vet fundamentin e shtetit të Kosovës dhe përpjekjes sonë kolektive për liri.
Në fjalën e tij të mbajtur në seancën solemne, Abdixhiku tha sot se familja Jashari qëndron si tempull pelegrinazhi për brezat e rinj.
“Të kujtosh e të shënosh Epopenë e UÇK-së do të thotë të thotë të kujtosh e shënosh vet fundamentin e shtetit të Kosovës dhe përpjekjen tonë kolektive për liri. Do të thotë të kujtosh e të shënosh gjithë sakrificën, qëndresën, e vet kushtrimin e gjithë popullit tonë të reflektuar në një familje të vetme, në atë që sot na qëndron si tempull pelegrinazhi për brezat e rinj, e që një çerek shekulli më parë na qëndronte si thirrje e rrugës sonë finale drejt lirisë. 25 vite më parë mes thirrjeve monumentale të brezave nëpër histori, në familjen Jashari, Adem Jashari, Hamzë Jashari, Shaban Jashari dhe 56 anëtarë të familjes, të afërëm e bashkëluftëtarë ranë në altarin e lirisë duke i dhënë vendit jo vetëm një histori sakrifice, por edhe një thirrje nacionale për përmbushjen e një rrugëtimi që nuk mund të ndalej më ”, është shprehur Abdixhiku.
Kryetari i LDK-së ka thënë më tej se qëndresa e familjes Jashari përballë forcave të shumta ushtarake e policore serbe, ishte zgjim i përbrendshëm për fatin tonë të shkruar tashmë nga një sakrificë që nuk mund të kapërcehej asnjëherë.
Krasniqi: Pa Adem Jasharin dhe UÇK-në, s’do të kishte Kosovë të pavarur

(E plotësuar) Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi në seancën solemne të shënimit të 25 vjetorit së Epopesë së UÇK-së tha se sakrifica e familjes Jashari dhe Marsi i lavdishëm i 98-tës, vunë themelet e Kosovës së lirë e të pavarur.
Krasniqi tha se Epopeja e UÇK-së përfaqëson një epokë që i bën bashkë të gjitha ngjarjet e luftës për kauzën kombëtare.
“Pa Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës nuk do të kishte pasur kurrë një Kosovë të lirë e të pavarur. Pa Adem Jasharin dhe Marsin e Lavdishëm të 98-tës, vështirë se do të kishte pasur një Ushtri Çlirimtare. Prandaj, vlera e kësaj Epopeje, nuk mund të kuptohet si një ngjarje në kuadrin e historisë, por si një epokë që i bën bashkë të gjitha ngjarjet. UÇK-ja e ka mbrojtur pragun e shtëpisë, por nuk ka luftuar vetëm për pragun e shtëpisë. Ka luftuar për kauzën tonë kombëtare shekullore. Ka luftuar për drejtësinë historike. Dhe madhështia e UÇK-së nuk e merr kuptimin e plotë pa sakrificën e Komandantit Legjendar Adem Jashari dhe të familjes Jashari, që frymëzoi dhjetëra mijëra djem e vajza për t’iu përgjigjur kushtrimit për çlirimin e vendit. Me këtë rast, në këtë ditë të lavdisë shembullore, na mungojnë bashkë-rrugëtuesit e Adem Jasharit, që nuk ju ndanë rrugës së tij deri në bërjen e Kosovës shtet të lirë e të pavarur, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi, dhe bashkëluftëtarët e tyre, që të privuar nga liria, po mbahen larg nesh në betejën e fundit për të vërtetën e luftës së drejtë të UÇK-së”, tha kreu i PDK-së.
Krasniqi tha se një çerek shekulli nuk e ka shlyer aspak kujtesën e gjeneratave që i kanë përjetuar ato ditë, por ato ditë e tejkalojnë kujtesën e gjeneratave, sepse i takojnë një epoke historike, të cilën duhet t’ua mësojmë në mënyrë të drejtë gjeneratave që do të vijnë.
“Dhe një histori e drejtë, e saktë për nga faktet, gjithëpërfshirëse për nga natyra dhe e qëndrueshme për nga e vërteta, mund të shkruhet vetëm kur i përgjigjemi pyetjes: Cili do të ishte fati i Kosovës, po të mos kishte ndodhur sakrifica e Familjes Jashari dhe po të mos kishte qenë UÇK-ja? Është e pamohueshme se lëvizjet politike që lindën në vitet e 90-ta, që ju përgjigjen një nevoje dhe një të drejte historike, si liria dhe pavarësia, i hapën popullit tonë një dritare shprese për liri e pavarësi”, shtoi ndër të tjera Krasniqi.
Kryetari Krasniqi bëri thirrje që tani 25 vite pas pas Epopesë së UÇK-së kur Kosova ka ende shumë punë të papërfunduara, të tejkalohen interesat e ngushta duke marrë përgjegjësitë që i takojnë.
Kuvendi nis seancën solemne për 25-vjetorin e Epopesë së UÇK-së

(E plotësuar) Kuvendit i Kosovës ka filluar seancën solemne për 25-vjetorin e Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Në sallën e Kuvendit të Kosovës, ku po mbahet seanca solemne për nder të “Epopesë së UÇK-së”, së bashku me presidenten Osmani dhe kryeministrin Kurti, ka hyrë edhe Rifat Jashari i cili është pritur me duartrokitje nga deputetët.
Nisin homazhet në Prekaz

(E plotësuar) Manifestimi “Epopeja e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës” vazhdon në ditën e dytë.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, e kryeministri Albin Kurti, së bashku me ministra e bashkëpunëtorë nga Qeveria e Parlamenti, nisin homazhe në Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz.
Më herët, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, së bashku me bashkëpunëtorë, ka bërë homazhe në varrezat e Jasharajve në Prekaz.
Homazhet në Kompleksin Memorial, ka bërë edhe kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, me bashkëpunëtorë.
Sot dita e dytë e Epopesë së UÇK-së, Kuvendi mban seancë solemne

Aktivitetet për shënimin e përvjetorit të 25-të të kësaj ngjarjeje historike që nisi dje, më 5 mars, do të vazhdojnë më sot dhe nesër, kur edhe përfundojnë me atë që quhet `Nata e Zjarreve`.
Sot, me 6 mars do të mbahet seanca solemne e Kuvendit të Kosovës, do të bëhen Homazhe në Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz si dhe do të mbahet një akademi përkujtimore.
Në ditën e tretë të Epopesë, dhe e fundit, me 7 mars, duke filluar nga ora 18:00, fillon ndezja e flakadanëve në shtatë rajone të Kosovë, duke vazhduar me manifestimin “Nata e Zjarreve” në Prekaz që shënon edhe përmbylljen e manifestimit gjithëpopullor, Epopesë së UÇK-së.
Dje u shënuat 25 vjetori i rënies së komandantit legjendar të UÇK-së, Adem Jashari dhe familjes së tij. Në përvjetorin të 25-të të kësaj ngjarjeje historike, u mbajt parada e FSK-së, ku Kuadratet e Ushtrisë së Kosovës u rreshtuan në nderim të ,,Epopesë së UÇK-së”. Në këtë 25 vjetor të Epopesë së UÇK-Së, nderime pranë Obeliskut të Lirisë, si simbol i nderimit të epopesë së UÇK-së, bënë ushtarakët, komandantja supreme, Vjosa Osmani, dhe kryeministri Albin Kurti.
Ngjarjet e fillim-marsit të vitit 1998 do të mbeten një dëshmi e gjallë për botën perëndimorë dhe për vetë historinë e Kosovës. Më 5 mars të vitit 1998, forcat paramilitare e ushtarake serbe rrethuan Jasharajt dhe Prekazin duke hasur në rezistencë nga familja Jashari të cilët nuk kursyen asgjë në mbrojtje të vendit.
Në ditën e dytë të sulmit mbi familjen Jashari, gjegjësisht me 6 mars 1998, luftimet po ashpërsoheshin, derisa dita e tretë e sulmit, me 7 mars 1998, konsiderohet edhe si dita e rënies heroike të Komandantit të UÇK-së, Adem Jashari dhe familjes së tij, dita e lavdishme e Epopesë së UÇK-së.
Nga këto luftime të ashpra që u zhvilluan tri ditë radhazi me forcat policore dhe ushtarake serbe, së bashku me Komandantin e UÇK-së Adem Jashari, nga familja e tij në fushën e nderit ranë heroikisht në mbrojtje të pragut të shtëpisë, atdheut dhe kombit, 55 persona, shumica anëtarë të familjes Jashari.























