Arrestohet një serb i dyshuar për krime lufte kundër civilëve shqiptarë
BKT
Lajme

Arrestohet një serb i dyshuar për krime lufte kundër civilëve shqiptarë

E. Hoti/ RTKlive

Prokuroria Speciale njofton se ka arrestuar sot të pandehurin me inicialet Z.A.,  i nacionalitetit serb, i cili dyshohet se ka kryer krime lufte kundër popullatës civile gjatë vitit 1999 në Kamenicë.

Sipas Prokurorisë Speciale, dyshohet se gjatë marsit të vitit 1999, Z. A. në stacionin policor në Kamenicë në cilësinë e personit zyrtar ka rrahur dhe torturuar të dëmtuarin B.M.

Sipas njoftimit të Prokurorisë, i dyshuari pretendohet se duke qenë i armatosur dhe në bashkëkryerje me pjesëtarë të tjerë të policisë serbe për 1 orë e gjysmë torturoi në mënyrë çnjerëzore dhe kërcënoi për jetë të dëmtuarin.

“I pandehuri Z.A., dyshohet se gjatë periudhës së luftës në Kosovë, konkretisht në muajin mars 1999, në stacionin policor në Kamenicë në cilësinë e personit zyrtar dhe në bashkëkryerje me pjesëtarë të tjerë të policisë serbe, i uniformuar dhe armatosur, fillimisht kishte rrahur të dëmtuarin me inicialet B.M, me shufra gome dhe shqelma, duke e torturuar në mënyrë çnjerëzore, maltretuar dhe duke i shkaktuar lëndime të rënda, trauma dhe pasoja në shëndet dhe duke e kanosur seriozisht për jetë për një orë e gjysmë”, thuhet në njoftim

Prokuroria thotë se këto veprime janë të sanksionuara sipas ligjeve vendore, zakoneve të luftës dhe Konventave Ndërkombëtare të Gjenevës dhe protokolleve shtesë.

Prokuroria njofton gjithashtu se ekziston dyshimi i arsyeshëm se i pandehuri Z.A., gjatë periudhës së luftës në Kosovë, konkretisht në periudhën shkurt-mars 1999, në bashkëkryerje me pjesëtarë të tjerë të policisë serbe dhe grupeve paramilitare ka marrë pjesë në dëbimin dhe shpërnguljen me dhunë të qytetarëve të Kamenicës me rrethinë.

Sipas njoftimit, i dyshuari po ashtu ka bërë plaçkitjen e shtëpive, e më pas me qëllim të dëmtimit të pronës së shqiptarëve,  i’a ka vënë zjarrin, si dhe ka marr pjesë në keqtrajtimin e civilëve shqiptarë.

Me këto veprime, sipas Prokurorisë, i pandehuri Z.A., kishte për të kryer veprën penale “Krime lufte kundër popullatës civile”.


MË SHUME NGA Lajme