Sveçla: Krimet e luftës nuk i harrojmë e as nuk i falim
E. Hoti/ RTKlive
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka reaguar pasi Prokuroria Speciale njoftoi se ka arrestuar sot të pandehurin me inicialet Z.A., të nacionalitetit serb, i cili dyshohet se ka kryer krime lufte kundër popullatës civile gjatë vitit 1999 në Kamenicë.
Ministri Sveçla ka thënë se krimet që janë kryer gjatë luftës në Kosovë as nuk i harrojnë, e as nuk i falin dhe se drejtësia për secilin akt çnjerëzor ndaj popullatës së pafajshme është e pashmangshme.
“Sot jam njoftuar se është arrestuar një qytetar i nacionalitetit serb që akuzohet se gjatë vitit 1999, në cilësi të personit zyrtar, ka ushtruar dhunë, torturë e keqtrajtim ndaj civilëve të pafajshëm shqiptarë. I njejti po ashtu akuzohet se në bashkëpunim me struktura paramilitare serbe ka marrur pjesë edhe në dëbimin dhe shpërnguljen me dhunë të qytetarëve të Kamenicës”, ka shkruar Sveçla në Facebook.
Sveçla ka thënë se Serbia ka kryer gjenocid në Kosovë dhe se ky është një fakt i njohur botërisht.
“Kryesit e akteve kriminale ndaj popullatës së pafajshme nuk janë dënuar asnjëherë për këto krime ose janë dënuar minimalisht. Teksa ne e kemi të freskët dhimbjen për secilin qytetar të shtypur, të keqtrajtuar, të dëbuar, të masakruar e të zhdukur, drejtësia është domosdoshmëri. Është e vonuar por është e pashmangshme”, ka shkruar Sveçla më tej në Facebook.























