Abdixhiku në Élysée: Marrëveshja me Serbinë duhet ta ketë njohjen në qendër
M.Shefkiu/RTKlive
Gjatë vizitës zyrtare në Paris, kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku zhvilloi takime në pallatin presidencial Élysée, në Ministri të Punëve të Jashtme dhe në Senatin francez, ku ka theksuar nevojën që dialogu me Serbinë të përfundoj me marrëveshje ligjërisht të obligueshme me njohje në qendër.
Abdixhiku është pritur në Pallatin Élysée, nga këshilltarja e presidentit Emanuel Macron, Isabelle Dumont; në Ministri të Punëve të Jashtme nga zëvendësdrejtori për Evropën Kontinentale, Sylvain Guiaugue; derisa në senat nga Senatorja Sénatrice Laure Darcos, kryetare e Grupit të Miqësisë Francë – Kosovë.
Në këto takime, kryetari i LDK-së, Abdixhiku shprehu falënderimet për mbështetjen e shtetit francez në të gjitha periudhat shtetndërtuese të Republikës së Kosovës, njofton LDK.
Abdixhiku në këto takime ritheksoi qëndrimet e LDK-së mbi procesin e dialogut, si një proces të cilin Kosova duhet ta trajtojë me prioritet si mjet drejt arritjes së një marrëveshje përfundimtare dhe ligjërisht të obligueshme, me njohjen në qendër të saj.
“Implementimi i marrëveshjeve paraprake, konform rendit kushtetues të Republikës së Kosovës nuk kanë alternativë”, ka thënë ai njofton LDK.
Kryetari i LDK-së ka shtruar po ashtu, domosdoshmërinë e hapjes së rrugës së re drejt integrimit euroatlantik me theks të veçantë, anëtarësimin sa më të shpejtë të Kosovës në NATO dhe mbështetjen që Franca mund ta jep në këtë drejtim.
Në të gjitha takimet, sipas njoftimit, është folur edhe për interesimin e shtuar francez për investime ekonomike në Kosovë dhe gjithë Ballkanin Perëndimor.
























