15:06 / 12.03.2023
Malisheva mposht Prishtinën
Uran Krasniqi/RTKLive
Malishevës nuk i ka shkuar huq udhëtimi në Prishtinë. Klubi i drejtuar nga Bylbyl Sokoli do të kthehet me tri pikë në Malishevë.
Kjo pasi si mysafir ka mposhtur Prishtinën. Rezultati përfundimtar i ndeshjes së xhiros së njëzet e pestë ka qenë 1-2 për malishevasit.
Një gol i shënuar në minutën e tetë nga Sobowale i ka dhënë epërsinë Malishevës.
Me këtë rezultat edhe është mbyllur pjesa e parë.
Në pjesën e dytë Malisheva e ka ngritur epërsinë në 2-0, me golin e Hazrollajt (80').
Krejt çfarë ka bërë Prishtina, ka qenë ngushtimi i rezultatit me anë të Shefitit (84').
Pas kësaj fitore, Malisheva gjendet në pozitën e shtatë në tabelë me njëzet e tetë pikë, kurse Prishtina në vendin e katërt me tridhjetë e dy pikë.























