Gashi: ‘Java e Kulturës jashtë vendit’ nis me Portugalinë
RTKlive
Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës dhe Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, kanë njoftuar qytetarët dhe bashkatdhetarët në Diasporë për nismën më të re “Javën e Kulturës jashtë vendit”.
Zëvendësministre e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Liza Gashi, në emisionin “Info Plus” në RTK, tha se këto dy ministri kanë lanësuar dje nismën, “Java e Kulturës jashtë vendit” e cila do të nisë me Portugalinë.
Ajo tha se ndihet e lumtur dhe krenare që, për herë të parë, po e lanësohet ky program i Javës së Kulturës jashtë vendit.
“Si Ministri e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, jemi të përkushtuar ta sjellim identitetin kulturor të Kosovës në skenën ndërkombëtare. Ky program i Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, që po lansohet përmes Ambasadës së Republikës së Kosovës në Lisbonë, është një hap shumë i rëndësishëm për arritjen e këtij qëllimi”, tha Gashi.
Zëvendësministrja sqaroi se rrugëtimi i këtij programi fillon në Portugali, nga data 19 mars deri më 24 mars, me synimin për të vazhduar edhe nëpër vendet e tjera të botës. Aktivitetet e planifikuara përgjatë javës përfshijnë tri qytete portugeze, Lisbonë, Bragë dhe Porto.
“Atje do të prezentojmë muzikën, filmin, artet pamore, literaturën dhe gastronominë, me qëllim të sjellim pasurinë dhe larminë kulturore e artistike të Kosovës te publiku portugez dhe te diaspora jonë atje”, tha ajo.
Gashi ftoi të gjithë qytetarët dhe miqtë tanë që të bëhen pjesë e kësaj jave të veçantë, duke iu bashkuar ngjarjeve të planifikuara.
“Programi i Javës së Kulturës i Kosovës jashtë vendit e ka fuqinë t'i bashkojë njerëzit dhe ta promovojë vendin tonë. Do të dëshiroja të shpreh një falënderim të veçantë për ekipin e palodhur të Programit të Kulturës së Kosovës jashtë vendit, i cili punoi me shumë përkushtim dhe zell për ta sjellë atë tek audiencat ndërkombëtare”, ka thënë ajo pos tjerash.
Përveç kësaj, zëvendësministrja Gashi falënderoi edhe institucionet e tjera që kanë ndihmuar në organizimin e këtij programi, si Filarmoninë e Kosovës, e cila do të jap koncerte edhe në Berlin e Pragë.