Pika kufitare te Kapia, Serbia nuk e ka përmbushur zotimin|Video
BKT
Lajme

Pika kufitare te Kapia, Serbia nuk e ka përmbushur zotimin|Video

Arlinda Sejda /RTK

Derisa bashkësia ndërkombëtare në vazhdimësi kërkon zbatimin e marrëveshjeve të arritura në dialog mes Kosovës dhe Serbisë ndër vite, Serbia për shumë prej tyre nuk ka nisur zbatimin. Mes tyre edhe pika kufitare në Kapi të Kamenicës, e cila po konsiderohet si shumë e rëndësishme për zhvillimin e kësaj ane.

Mëngjesi i së enjtes Malësinë e Kamenicës e gjeti me borë. Megjithatë, kompania e kontraktuar për pastrimin e rrugëve ishte vënë në përkujdesje që rruga deri në pikën kufitare ‘Kapi’ të jetë e kalueshme.

Kjo pikë kufitare erdhi si rezultat i marrëveshjes së Brukselit më 21 maj 2015.

Tash e sa vite Kosova ka funksionalizuar infrastrukturën në këtë pikë kufitare për lëvizje të njerëzve dhe mallrave, mirëpo kjo pikë kufitare nuk është funksionale për shkak të mos zbatimit të marrëveshjes nga pala serbe.

Janë vetëm disa gurë të vendosur nga ana tjetër e kufirit nga shteti serb. RTK ka dërguar pyetje në institucionet në Serbi pse akoma nuk po zbatohet marrëveshja për funksionalizmin e kësaj pike kufitare, por gjatë ditës nuk ka marrë përgjigje.

Si pasojë, ndër vite banorët në afërsi të zonës kufitare në fshatin Sfircë, janë zhvendosur për shkak të mosfunksionimit të kësaj pikë kufitare.

Kryetari i Kamenicës, Kadri Rahimaj, tha se zhvendosja e banorëve në fshatrat afër brezit kufitar me Kapinë ka ndodhur ndër vite edhe për shkak të mungesës së infrastrukturës, teksa tha se komuna është e gatshme çdo here për t?u dalë në ndihmë përmes numrave emergjent.

“Ne e shohim malësinë e Kamenicës me potencial shumë të madh në zhvillimin e turizmit dhe euroturizmit, si parakusht për zhvillim të kësaj jemi plotësisht të vetëdijshëm për gjendjen e infrastrukturës. Për këtë ne kemi biseduar me qeverinë qendrore dhe kemi hartuar të gjitha projektet për asfaltimin e brezit kufitar që përfshinë një vijë gjatësore prej 25 kilometra që kosto e përafërt e përllogaritur për asfaltimin e brezit kufitar është 12 milion euro. Komuna e  Kamenicës është e pafuqishme në mënyrë financiare që t'i asfaltoj këto rrugë, po kërkojmë mbështetje nga niveli qendror për shkak se e shohim edhe në interes nacional që brezi kufitar të jetë i asfaltuar dhe banorët të qëndrojnë në atë shtrirje që aktualisht janë edhe sot", tha kryetari i Kamenicës, Kadri Rahimaj.

Ndryshe, funksionalizimi i kësaj pike kufitare shihet me potencial të madh për zhvillimin e kësaj zone, dhe mundësinë e rikthimit të banorëve të cilët kryesisht i frekuentojnë fshatrat në afërsi të kësaj pike kufitare, kryesisht gjatë verës.


MË SHUME NGA Lajme