Chollet flet me Kurtin e Vuçiqin për “përfitimet” e zbatimit të planit
Lajme

Chollet flet me Kurtin e Vuçiqin për “përfitimet” e zbatimit të planit

B. H. / RTKlive

Këshilltari i lartë i Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet, ka biseduar me liderët e Kosovës dhe Serbisë në lidhje me propozimin evropian për normalizimin e raporteve ndërmjet dy vendeve.

Chollet ka theksuar se zbatimi i këtij propozimi do të sjellë përfitime domethënëse për të dyja shtetet dhe do të kontribuojë në një të ardhme paqësore në rajon.

“Bisedova me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, lidhur me bisedimet e 18 marsit lidhur me normalizimin e raporteve me Serbinë përmes dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja. Zbatimi [i propozimit evropian] do të ofrojë përfitime domethënëse për të dyja vendet dhe do të tregojë përkushtim për një të ardhme paqësore në rajon”, shkroi Chollet në llogarinë e tij në Twitter.

Ndërkohë, Chollet ka vlerësuar edhe bisedën e tij me presidentin serb, duke thënë se u pajtuan në rëndësinë e angazhimit konstruktiv në propozimin e konsoliduar të BE-së më 18 mars.

“Riafirmova mbështetjen e SHBA-së për dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja dhe përfitimet që normalizimi i raporteve do t’i sillte Serbisë dhe gjithë rajonit të Ballkanit Perëndimor”, ka shkruar Chollet.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, do të takohen nesër në Ohër të Maqedonisë së Veriut për të diskutuar mbi planin e zbatimit të propozimit evropian për normalizimin e raporteve, i cili është pranuar nga të dyja palët në takimin e 27 shkurtit në Bruksel.


MË SHUME NGA Lajme