Kurti pas takimit me Escobar: Folëm për takimin, rëndësinë dhe pritjet
Jeton Musliu/RTKlive
(Plotësuar: Ora 12:20) Krahas takimit të djeshëm në Prishtinë, sot në Ohër, në prag të takimit të radhës të nivelit të lartë në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë–Serbi, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, takoi të Zëvendës ndihmës Sekretarin e Shteteve të Bashkuara për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike dhe njëherësh të dërguarin e posaçëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.
Siç njofton Zyra për Media e Kryeministrit, në takim është biseduar për takimin e sotëm, rëndësinë dhe pritjet nga ky takim.
"Kryeministri Kurti e falënderoi z. Escobar për mbështetjen vazhdueshme të tij dhe të ShBA-së në procesin e dialogut", shkruan në komunikatën zyrtare.
Aty më tej theksohet përkushtimi dhe qasja konstruktive e Qeverisë së Republikës së Kosovës në këtë fundjavë dhe për gjatë gjithë procesit.
Ahmeti për RTK-në: Shpresoj në vendime të duhura për ndërtim të së ardhmes
(Plotësuar: Ora 11:05) Tashmë kanë filluar takimet e nivelit të lartë në Ohër, në lidhje me dialogun Kosovë-Serbi, me ndërmjetësimin e BE-së.
Të pranishëm në hapësirat ku po mbahet takimi janë edhe presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, por edhe kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, partia e të cilit është në kolaicion qeveritar.
Në një deklarim për RTK-në, Ahmeti tha se shpreson se në këtë takim do të merren-“vendimet e duhura për të ndërtuar të ardhmen”.
Ai konfirmoi se vendi ku po mbahet takimi Kosovë-BE-Serbi është i njëjti me atë ku janë zhvilluar bisedimet mes shqiptarëve dhe maqedonasve, pas konfliktit të vitit 2001.
“Këtu është arritur Marrëveshja e Ohrit, por palët (BE-Kosovë-Serbi) janë dakorduar që në Ohër të bëhet ky takim, si një vend neutral dhe institucionet shtetërore të Maqedonisë së Veriut, i kanë marrë të gjitha masat që ky moment të shkojë sa më mirë”, deklaroi Ahmeti për RTK-në.
Takim Kurti e Ahmeti, para takimit Kurti-Borrell-Vuçiq|Foto
(Plotësuar: 10:30) Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, zhvilloi takim joformal me kreun e Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti në Ohër të Maqedonisë së Veriut.
I pranishëm në këtë takim është edhe ministri i Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut e zyrtarë të tjerë.
Ky i fundit ka publikuar fotografi nga ky takim joformal. “Takim i Ali Ahmetit me Albin Kurtin para fillimit të dialogut”, ka shkruar Osmani. “Mbështetje për një sukses historik”, shkruan më tej ai.
Takimi i tyre vjen pak para takimit që Kurti do të zhvillojë me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç, në kuadër të dialogut mes dy vendeve, ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.
Kurti dhe Vuçiq e kanë pranuar në parim propozimin e BE-së për normalizimin e marrëdhënieve, gjatë një takimi në Bruksel, më 27 shkurt.
Osmani: Takimi Kosovë-Serbi në vendin e negociatave Maqedoni e Veriut-Greqi
(Plotësuar: 10:00) Zëvendëskryeministri i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, i cili është edhe ministër i Punëve të Jashtme të këtij vendi, foli sot për takimin Kurti-Borrell-Vuçiq në Ohër.
Ai u shpreh se Maqedonia e Veriut është aty për të mundësuar një dialog për palët.
Osmani u shpreh se inkurajon palët që të ndjekin shembullin e pajtimit mes shqiptarëve dhe maqedonasve, për të arritur paqen në rajon.
Në këtë rast, Osmani tha se takimi Kosovë-BE-Serbi, po mbahet në të njejtat hapësira fizike ku janë mbajtur edhe negociatat për marrëveshjen e Ohrit, e cila çoi zgjidhjen e mosmarrëveshjeve mes shqiptarëve dhe maqedonasve.
Sipas kryediplomatit nga Maqedonia e Veriut, duhet të shfrytëzohet momentumi i sotëm politik.
Ai tha se përkushtim dhe bashkëpunim më të madh ndërkombëtar nuk ka pasur asnjëherë.
“Duhet të shfrytëzohet kjo energji e faktorit ndërkombëtar”, tha Osmani i cili gjithashtu ndodhet në Ohër.
Osmani: Lajçak e nisi ditën me takim me Ali Ahmetin
N.Mekolli /RTKlive
Ministri i Jashtëm i Maqedonisë së Veriut Bujar Osmani, para fillimit të dialogut Kosovë Serbi në Ohër, ka takuar përfaqësuesin e Posaçëm të Bashkimit Evropian për, Miroslav Lajçak.
Ai, në rrjetin social Facebook ka shkruar se, sot ndërmjetësuesi Lajçak e nisi ditën me takim me dhe Ali Ahmetin.
“Para fillimit të dialogut Kosovë Serbi në Ohër, Ndërmjetësuesi Lajçak e nisi ditën me takim me Ali Ahmetin”, ka shkruar Osmani.