Osmani për RTK-në: Ku është SHBA, nuk ka zhgënjim
Foto: Leonora Bërbatovci/RTK
Lajme

Osmani për RTK-në: Ku është SHBA, nuk ka zhgënjim

Jeton Musliu/RTKlive

(Plotësuar: 13:45) Zëvëndëskryeministri i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani i cili është edhe ministër i Punëve të Jashtme të këtij vendi, në një intervistë për RTK-në, tha se konteksti në të cilën po mbahet ky takim mes Kosovës e Serbisë, me ndërmjetësimin e BE-së dhe SHBA-së, është i jashtëzakonshëm.

Ai tha se pritjet janë të mëdha sepse i tillë është momentumi politik. “Nën një, ai gjeopolitik dhe nën dy, përkushtimi i komunitetit ndërkombëtar”, u shpreh Osmani për RTK-në.

Ai tha se për vetë faktin që Maqedonia e Veriut është zgjedhur të përfshihet në njëfar mënyre në këtë proces, është mirënjohja më e madhe për rolin e ri ndërkombëtar që tashmë ka ky shtet.

“Por mendoj se edhe simbolika që po mbahet në Ohër ky takim, është reflektim për suksesin e marrëveshjes së Ohrit sepse po mbahet pikërisht në ato dhoma”, tha ai.

“E marrëveshja e Ohrit sot njihet si marrëveshja më e suksesshme ndërkombëtare në këtë rajon, e ndërmjetësuar nga SHBA dhe BE”.

Ai deklaroi se ky është edhe një mesazh se SHBA nuk ka zhgënjyer asnjëherë në këto procese.

“Shpresojmë që do të jetë e mundur që të kemi një sukses që garanton stabilitet të qëndrushëm për rajonin”.

Osmani e konfirmoi se takimi i kryetarit të BDI-së, Ali Ahmeti me kryeministrin Albin Kurti, ishte edhe një inkurajim për të arritur marrëveshje, duke marrë për bazë edhe shembullin e tyre për arritjen e marrëveshjes së Ohrit.

Kovaçevski: Presim rezultate në dialogun Kosovë-Serbi

(Plotësuar: 11:05)   Në një adresim para mediave të pranishme në Ohër, kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, deklaroi se ky është një moment që të përshpejtohet rruga evropiane për të gjithë.

I pranishëm në mirëpritjen e zyrtarëve të lartë të BE-së, Kosovës e Serbisë, Kovaçevski tha se Ohri nuk është zgjedhur rastësisht.

“Kjo është bërë për  shkak të marrëveshjes së Ohrit, Prespes dhe marrëveshjes për fqinjësi të mirë me Bullgarinë”, ka sqaruar  Kovaçevski, duke shtuar se:-“ka zhvilluar takime bilaterale me Kurtin dhe Vuçiqin”.

“Atyre u shpreha pritshmeritë për  rezultate pozitive në  kuader të dialogut Kosovë-Serbi”.

Sipas kreut të qeverisë maqedonase, qëllimi strategjik është BE-ja. “Yni si Maqedoni e Veriut, por edhe i shtetëve fqinje”.

“Ne jemi politikanë që ndermarrim veprime të vështira", u shpreh Kovaçevski. “Por keto vendime të vështira janë në të mirë të gjeneratave të ardhshme”.

Pendarovski: Bisedimet Kosovë-Serbi, shumë të rëndësishme për rajonin|Foto

(Plotësuar: 11:53) Presidenti i Maqedonisë së veriut, Stevo Pendarovski, ka mirëpritur delagacionin e lartë të BE-së, kryeministrin e  Kosovës, Albin Kurti e presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Duke iu dëshiruar mirëseardhje në vilën Biljana në Ohër, për një seancë pune të negociatave në kuadër të dialogut të nivelit të lartë Kosovë-Serbi, me ndërmjetësimin e BE-së, presidenti Pendarovski u shpreh se- negociatat mes këtyre vendeve janë një çështje jashtëzakonisht e rëndësishme rajonale”.

“Zgjidhja e së cilës mund të ndihmojë për stabilizimin e përhershëm të rajonit dhe integrimin e tij më të shpejtë evropian dhe euroatlantik”.

Kurti: Maqedonia e Veriut është aleat i rëndësishëm për Kosovën

(Plotësuar: 11:38) Para takimit me Përfaqësuesin e Lartë të BE-së për Politikë të Jashtme, Josep Borrell dhe emisarin Miroslav Lajçak, kryeministri Albin Kurti u takua në Ohër me emisarin amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar si edhe me kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski.

Pas takimit me këtë të fundit, kryeministri Kurti deklaroi në rrjetet sociale, se është mirëpritur nga kryeministri maqedonas, para takimit të sotëm të nivelit të lartë në Ohër.

“E falënderova që na priti këtë fundjavë”, shkroi Kurti në Twitter.

“Maqedonia e Veriut është një partner dhe aleat i rëndësishëm për Kosovën dhe rajonin, me të cilin ne dëshirojmë të punojmë edhe më ngushtë në vlerat dhe prioritetet e përbashkëta”, deklaroi ai.Kovaçevski pret në takim Kurtin, i uron sukses në dialog|Foto

Pak para fillimit të takimit trepalësh në Ohër, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është takuar me homologun maqedonas, Dimitar Kovaçevski.

Ky i fundit uroi delegacionin kosovar për një ditë të suksesshme dhe biseda produktive.

Ishte vetë kryeministri maqedonas, Kovaçevski, i cili në një postim në Facebook, përgëzon Kurtin për përkushtimin e shprehur për të ardhen evropiane të të gjithë rajonit

“Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, i uroj një ditë të suksesshme dhe biseda produktive dhe të suksesshme”, shkroi ai.

“Në të njëjtën kohë e përgëzoj për përkushtimin e shprehur për të ndërmarrë hapa konkretë të rëndësishëm për të ardhmen evropiane të të gjithë rajonit”, ka shkruar Kovaçevski në Facebook.

Përfaqësuesi i Lartë i BE për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell dhe i dërguari i BE për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak do të zhvillojnë takime me secilin nga liderët, duke filluar nga ora 10:30.

Më pas, do të ketë një takim trepalësh. Takimi do të fokusohet në finalizimin për zbatimin e aneksit të planit evropian për rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Në fund të takimit do të ketë një deklaratë për mediat nga Borrell.

 


MË SHUME NGA Lajme