Osmani: Serbia të penalizohet nëse refuzon respektimin e marrëveshjes
M.Sh/RTKlive
Komuniteti ndërkombëtar duhet t’i bëjë presion Serbisë që t’i respektojë obligimet për të cilat kanë rëndë dakord në Ohër. Kështu deklaroi presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani e cila tha se deklaratat që vijnë nga Beogradi se nuk do t’i respektojnë asnjërën nga pikat, e rrezikon edhe esencën e marrëveshjes.
“I gjithë presioni duhet të jetë mbi Serbinë që ajo t’i respektojë obligimet që i ka ndërmarrë. E kuptoj që nënshkrimi si i tillë nuk është i domosdoshëm për ta bërë një marrëveshje ligjërisht të obligueshme. I gjithë angazhimi i komunitetit ndërkombëtar duhet të jetë te Vuçiqi që për ato të cilat ai është dakorduar e që në esencë përbëjnë njohje ‘de facto’ të Kosovës, sepse kur ia njeh dikujt sovranitetin e integritetin. Këto janë elementet kryesore të shtetësisë. Mungon vetëm një letër njohje që ende nuk e ka nënshkruar. Duhet të ketë penalizim të qartë për Serbinë”, tha Osmani.
Sipas presidentes kosovare, pa u mbushur as 24 orë nga dakordimi në Ohër, Serbia sikurese në takimin e shkurtit, e përsëriti të njëjtin veprim.
“Pra tregoi që premtimet që i kanë dhënë në kuadër të dialogut nuk kanë asnjë vlerë për të, as politike as juridike. Dhe rrjedhimisht njoftoi edhe komunitetin ndërkombëtar se nuk do t’i zbatojë obligimet që dalin nga marrëveshja bazë dhe aneksi. Pavarësisht asaj që u dakorduan në Ohër, teksti i marrëveshjes bazë mbetet i njëjtë dhe nuk ndryshohet. Neni 4 i asaj marrëveshje që e obligon Serbinë që të mos kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në asnjë organizatë ndërkombëtare pa përjashtim, mbetet në fuqi”, tha Osmani.
Presidentja kosovare tha se në momentin që lidershipi serb deklaron se nuk do të zbatojë asnjërën nga këto pika, duke kërkuar pastaj edhe vulosje nga Kuvendi i Serbisë që mos të zbatojë atë për të cilën është dakorduar vetë në Ohër dhe Bruksel, e rrezikon në esencë e dakordimit.