Kurti: BE-ja të sigurojë që marrëveshjet e dakorduara të zbatohen
A.B/ RTKlive
Pas mbledhjes së qeverisë, Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, në një konferencë për media, ka folur për bisedimet në Ohër dhe ofertën që ai ka bërë atje.
Shefi i ekzekutivit, ka thënë se dakordimet e tij dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, më 27 shkurt në Bruksel dhe 18 mars në Ohër janë konstatuar si Marrëveshje nga ndërmjetësit, Josep Borrell dhe Miroslav Lajçak, e si rrjedhojë ato duhet të zbatohen.
“Unë kam bërë një ofertë konkrete duke u thënë nëse pala serbe është dakord që të pranoj tri shtylla bazike, kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe akt gjykimin e Gjykatës Kushtetuese të publikuar më 23 dhjetor 2015 në njërën anë dhe në anën tjetër një qëndrim të Brukselit dhe Uashingtonit, mbi atë se çka është e nuk është Asociacioni, unë u kam thënë se nëse janë dakord me këtë premisë, unë jam i gatshëm ta shkruaj draftin e propozimit, mirëpo duhet njëherë të pajtohemi me premisën”, tha ai, raporton RTKlive. Duke shtuar se nuk ka pasur dakordim që të përfillen këto tri shtylla.
Sipas tij BE-ja është ajo që duhet të sigurojë që marrëveshjet e dakorduara të zbatohen në terren.
“S’ka kuptim që të mbesin tekst në letër. Ndërmjetësi është ai i cili imponon zbatimin ose konstaton moszbatim a shkelje dhe sanksione përkatëse. Është ndërmjetësi që ka fjalën për çfarëdo devijimi, deformimi apo shkelje”, theksoi ai.