Në Epopenë e Dukagjinit, jepen mesazhe bashkimi |Video
J.Musliu/RTKlive
Me homazhe pranë Kompleksit Përkujtimor “Dëshmorët e Kombit” në Gllogjan, nisi shënimi i 25 vjetorit të “Epopesë së Dukagjinit” dhe përkujtimi i 24 vjetorit të ndërhyrjes së NATO-s.
Të pranishëm ishin kryeministri Albin Kurti, kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, e personalitete të tjera.
Kryeministri Kurti në fjalën e tij, deklaroi se pas rezistencës së pashembullt të jasharajve në Prekaz, vjen rezistenca e familjeve Mehmetaj e Haradinaj në Gllogjan.
Ai tha se kjo betejë dëshmonte rrugën e pakthyeshme drejt lirisë. Duke rikujtuar betejen e asaj dite, Kurti tha se sot nderohet sakrifica e atyre që ranë.
“E sot, ushtria jonë po konsolidohet në shërbim të paqes e sigurisë”, tha ai. Sipas Kurtit, me ndryshimet ligjore, FSK nuk do të ketë kufizim në numër, prandaj ajo do të foroceht për paqe e siguri.
“Familja Haradinaj ia di vlerën lirisë”, tha Kurti, derisa shtoi se ushtria është pjesë e pandashme e saj. “Sot kemi major Luan Haradinaj, pjesë të ushtrisë”.
“Duke kujtuar UÇK-së, duke forcuar FSK-në, mbrojmë Republikën”, tha Kurti, teksa rikujtoi edhe bombardimet e NATO-s.
“Bombardimet që zgjaten 78 ditë e ndalën gjenocidin ndaj popullit shqiptar të regjimit të Millosheviqit”, u shpreh Kurti.
“Falë luftës çlirimtare të UÇK-së, Shqipërisë e partnerëve tanë, SHBA, Britanisë së Madhe, Francës, Gjermanisë, Italisë, Turqisë, e partnerëve të tjerë, sot kemi lirinë”.
“Prandaj vetëm bashkë mund ta ndërtojmë e zhvillojmë vendin tonë”.
E kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, i cili ishte komandant i UÇK-së për rajonin e Dukagjinit, deklaroi se në atë kohë, Serbia kishte ndjekur taktikën e tokës së djegur.
“Për tri ditë, familja Jashari luftoi dhe u flijua. Në Gllogjan nuk kishim zgjidhje tjetër”, tha Haradinaj, duke shtuar se Serbia kishte planin e pastrimit. “Pra për të mos lënë asnjë të gjallë”.
Haradinaj tha se ndoshta fitorja e kësaj dite, është bërë shkaktare për të besuar në fitore. “Miti i forcës së Serbisë, u thye këtu”, tha ai.
“Që të nesërmen, erdhën mijëra të rinj e të reja për t’iu bashkuar luftës”.
Ai tha se në Dukagjin, askush nuk ishte i tepërt për të luftuar. “Këtu janë trajtuar njëjtë bashkëluftëtarët e të gjitha trevave shqiptare”, rikujtoi Haradinaj.
“Ajo që na ndihmoi e na dha fuqi për të përmbyllur luftën, ishte dita e njejtë, por një vit më vonë”.
Haradinaj kujtoi se atë ditë, u ka premtuar luftëtarëve se vetëm pak ditë kanë mbetur deri tek liria.
“Sulmet e NATO-s erdhën sikurse sulme nga Zoti, sepse atë ditë, një populli që kishte luftuar mbi një vit, kishte dhënë shumë gjak, i erdhi në ndihmë forca më e madhe ushtarake e botës, e prirë nga SHBA”.
Ai tha se lufta nuk kishte as afate kohore, por nga bombardimet e NATO-s, u shpëtuan shumë jetë, u kthye populli në trojet e veta.
“Ne do të jemi në aleancë e me SHBA-në dhe besoj se e meritojmë Partneritetin për Paqe”.
Kryetari i Deçanit, Bashkim Ramosaj, në fjalën e tij, deklaroi se 24 marsi është dita që e bën krenar tërë kombin.
“Krenar për shumë arsye”, tha ai. Sipas Ramosajt, për të kuptuar rëndësinë, duhet kujtuar e përjetuar vitet e 90-ta.
Duke kujtuar vrasjet, arrestimet e dhunën nga aparati i pushtetit serb, Ramosaj deklaroi se kjo datë merr lavdinë që i takon.
“Ka shumë data në historinë tonë që i shënojmë për lavdi, por me 24 mars 1998, për herë të parë, ne po e nderojmë krenarinë e gjent tonë shqiptar, duke triumfuar ndaj pushtesit”, tha Ramosaj.
Duke rikujtuar ngjarjen e asaj dite, që sipas Ramosajt pushtuesi serb po përdorte taktikën e njëjtë sikurse në Prekaz, Likoshan e Qirez, ai tha se edhe në familjen Haradinaj dhe Gllogjan, morën përgjigjen e njëjtë.
Fjalë rasti mbajtën edhe kryetarë të OVL të U}K-së për rajonin e Dukagjinit, kryetari i Lezhës, etj.