Osmani: Epopeja e Dukagjinit, ngjarje heroike e luftës së UÇK-së
RTKlive
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani-Sadriu ka kujtuar Epopenë e Dukagjinit.
Presidentja Osmani ka thënë se Epopeja e Dukagjinit është një nga ngjarjet më heroike të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për lirinë e vendit.
“Më 24 mars 1998 forcat e regjimit gjenocidal të Serbisë sulmuan Gllogjanin, teksa familja Haradinaj me qëndresën heroike tregoi se liria ishte e panegociueshme”, u shpreh presidentja e vendit.
Tutje, ajo përkujtoi dëshmorët Himë Haradinaj, Gazmend e Agron Mehmetaj, të cilët ranë në altarin e lirisë, derisa, theksoi se sot kujtojmë me respekt, sikurse edhe të gjithë ata që luftuan dhe që përmbushën ëndrrën e brezave për shtet.
Mes tjerash, presidentja e vendit bëri të ditur se Epopeja u zhvillua në të njëjtën ditë kur nisën bombardimet e NATO-s kundrejt caqeve të regjimit gjenocidal të Serbisë, ndaj, shtoi ajo, kjo ngjarje paraqet fillet e lirisë, vulën e së cilës ia dhanë veprimet ushtarake të Aleancës Veri-Atlantike.