Mungesa e Bordit të Trustit, LDK kërkon dorëheqjen e ministrit Murati
Lajme

Mungesa e Bordit të Trustit, LDK kërkon dorëheqjen e ministrit Murati

Arbëresha Berisha/RTK

Ministri i Financave, Hekuran Murati, guvernatori i BQK-së, Fehmi Mehmeti, auditorja e përgjithshme, Vlora Spanca dhe drejtori menaxhues i Trustit, Adrian Zalli, po raportojnë në Komisionin për Buxhet rreth situatës në Trustin Pensional.

Të njëjtit u kritikuan nga deputetë të opozitës për mos-zgjedhjen e bordit të ri për këtë institucion financiar.

Mirëpo, ministri i Financave, Hekuran Murati, tha se e kanë parë të nevojshme që të kenë sqarime shtesë që të vazhdohet tutje, raporton RTKlive.

Me këtë rast, ai fajësoi deputetë të opozitës se po shkaktojnë panik te qytetarët me deklaratat se Trusti ka shënuar humbje në mungesë të bordit.

 “Është joserioze të bëhet një propagandë e tillë për Fondin Pensional. Mos hyni në fushat të cilat nuk i kuptoni se vetëm shkaktoni panik te qytetarët sepse është 1.01%  performancë negative krahasuar me vitin e kaluar. Performanca nuk varet nga bordi por nga luhatjet në treg”, tha ai.

Ndaj ministrit Murati reagoi deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, i cili tha se procesi është neglizhuar e për këtë do të duhej që ministri Murati, guvernatori Mehmeti e auditorja Spanca të jepnin dorëheqje.

Ndërkaq, në lidhje me procesin guvernatori i BQK-së, Fehmi Mehmeti, tha se tre herë i ka bërë kërkesë ministrit të Financave dhe auditores së përgjithshme, Vlora Spanca.

Ai tha se të njëjtëve në janar të këtij viti u ka dërguar edhe ftesë për takim, por që ende nuk ka marrë përgjigje.

Ndërsa, auditorja e përgjithshme, Vlora Spanca, tha se nuk ka pranuar as një e-mail më 14 mars nga guvernatori Mehmeti, ashtu si pretendoi ky i fundit.

Sqarime në lidhje me mos-zgjedhjen e bordit kërkuan edhe anëtarë tjerë të këtij komisioni.


MË SHUME NGA Lajme