Duka: Koha e humbjeve dinjitoze ka kaluar
Uran Krasniqi / RTKLive
Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, ka thënë se koha e humbjeve dinjitoze për Kombëtaren e Shqipërisë është e tejkaluar.
Shqipëria është mposhtur nga Polonia 1-0 në ndeshjen e parë të fushatës kualifikuese për Euro 2024. Por të shumtë ishin ata që e vlerësuan paraqitjen e Shqipërisë pavarësisht humbjes. Dhe Duka ka një pikëpamje tjetër. Ai konsideron se humbja çfaredo nuk sjellë kënaqësi.
"E nisëm këtë rrugëtim kualifikues ndaj skuadrës së renditur si kokë grupi. Sigurisht që e dinim që do të ishte një ndeshje e fortë por ne kishim përgatitur gjithҫka për të dalë me një rezultat pozitiv nga kjo transfertë. Për lojën e zhvilluar dhe atë që dhamë në fushën e lojës duhet të kishim marrë diҫka më shumë por kjo nuk ndodhi. I përgëzoj lojtarët, ashtu si edhe stafin teknik për impenjimin e treguar por koha e humbjeve dinjitoze është e tejkaluar dhe ne kurrësesi nuk mund të kënaqemi me një humbje të tillë", ka thënë Duka. "Duhet të rritemi, të punojmë më shumë dhe të jemi më me këmbë në tokë. Duhet ta kuptojmë të gjithë, ne, ekipi e stafi drejtues që kemi humbur në Varshavë".























