Kushtetuesja shqyrton lëndën e Berishës, por nuk ka afat të caktuar|Video
Edona Podvorica/RTK
Raportimeve se Gjykata Kushtetuese mund ta rrëzojë Presidenten, u ka reaguar shefi i kabinetit të saj, Blerim Vela, duke i quajtur tentim-puç ndaj institucioneve. Vela ka shkruar në Twiter se "Këto pretendime janë synim perfid për t’i bërë presion Gjykatës dhe për të krijuar huti në publik dhe se Gjykata Kushtetuese është institucion i pavarur, që ka detyrim të qartë ligjor për ta ruajtur integritetin e vendimmarrjes gjyqësore".
Ky reagim i presidencës vjen pas raportimeve mbi mundësinë që Kushtetuesja të vendosë në favor të Veton Berishës dhe rrjedhimisht Osmanit t’i duhet ta lëshojë kërrigën e presidentes.
Ditën kur Vjosa Osmani u votua për presidente, në sallën e Kuvendit, në rundin e parë të votimit kanë qenë 80 deputetë, ndërsa 71 deputetë kanë votuar për zgjedhjen e Osmanit presidente. Në mesin e këtyre deputetëve, Veton Berisha, pretendon se ka deputetë jolegjitim, të cilët me orkestrim të votave, kanë zënë ulëset e Kuvendit.
Për këtë ai kishte dorëzuar një kërkesë në Gjykatën Kushtetuese për interpretim dy vite më parë, por ende nuk ka marrë përgjigje.
Berisha thotë se nuk e ka menduar që një vendim në favor të tij, mund ta bëjë presidenten Osmani të dorëhiqet . Sipas tij, qëllimi kryesor është të ndalet Lista Serbe, e cila po manipulon partitë nga radhët e komuniteteve.
Duke qenë se kanë kaluar dy vite prej parashtrimit të kërkesës në Kushtetuese, drejtori i Institutit për Drejtësi, Ehat Miftaraj, thotë se kanë kaluar afatet kohore kur ka qenë e mundur të kontestohet ligjshmëria e zgjedhjes së presidentes.
Por, ndryshe mendon ish-anëtari i Gjykatës Kushtetuese, Kadri Kryeziu.
“Nëse fitohet ky rast, atëherë presidentja nuk ka legjitimitet, e cila është zgjedhe presidente, për shkak të mungesës se votave ne parlament, dhe votave të palegjitimuara ne parlament. Procedura e mëtejmë shkon ne baze te masave ndëshkuese kushtetuese, masa e rende qe nënkupton shkarkimi, mase e lehte është dorëheqja”, ish-anëtari i Gjykatës Kushtetuese, Kadri Kryeziu.
Derisa njohësit e së drejtës kushtetuese vlerësojnë se Kushtetuesja i ka tejkaluar afatet për të vendosur për këtë lëndë, RTK ka pyetur sot këtë institucion për rrjedhën e lëndës.
Në përgjigje me shkrim, Kushtetuesja ka thënë se është duke e shqyrtuar rastin, ndërsa thekson se nuk ka ndonjë afat të caktuar kushtetues-ligjor për vendimmarrje në këtë rast.
"Gjykata i trajton të gjitha kërkesat në bazë të procedurave standarde të parashikuara për shqyrtimin e tyre dhe kohëzgjatja e vendimmarrjes në kërkesat e parashtruara nuk varet detyrimisht nga koha e regjistrimit të tyre, por nga kompleksiteti i çështjes që mund të ngërthejë një rast konkret".
Gjithsesi vendimi përfundimtar i Kushtetueses kundër ose në favor të Veton Berishës, sipas njohësve i jep epilog diskutimit aktual, nëse e para e vendit duhet ta lëshojë karrigen.























