Kandidatët shqiptarë për kryetar në veri të vendit: Siguria në rend të parë
BKT
Lajme

Kandidatët shqiptarë për kryetar në veri të vendit: Siguria në rend të parë

N.Mekolli /RTKlive

Më 23 prill është data e zgjedhjeve në katër komunat veriore, për shkak të dorëheqjes muaj më parë të kryetarëve që vinin nga Lista Serbe. Për këto zgjedhje janë certifikuar 5 subjekte politike me 11 kandidatë për 4 komunat në veri: Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok.

Izmir Zeqiri, kandidat për kryetar të Zubin Potokut nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), tha në emisionin “Info plus”, se procesi po shkon mirë dhe tani jemi duke u konsoliduar që në mënyrë që të jenë gati për punën në teren.

“Me djegien e veturave në veri paralajmërohet se mund të ketë probleme gjatë zgjedhjeve në veri, por na do të përgatitemi dhe do ta kryejmë punën sipas Kushtetutës se Republikës së Kosovës. Sa i përket fushatës së etnisë shqiptare nuk kemi probleme, problemet do të ketë ku janë kryesisht serbë. Është problematike mbajtja e tubimeve në qendër të Zupin Potokut, por për këtë do të kemi problem", tha ai.

Zeqiri foli edhe për programin e tij, i cili tha se kryesore për komunën e Zubin Potokut është siguria dhe se ai dhe partia e tij do të bëjë çmos që ta ofrojnë këtë.

“Tashmë ka njëfarë sigurie që mbahet nga Policia e Kosovës, edhe pse nuk është e plotë, sepse ka probleme në mes komunitetit serb. Besoj se me rikthimin ose me pranimin e policëve të ri serbë në punë, kjo do të përmirësohet. Sepse edhe serbët, që i binden shtetit të Kosovës, janë të kërcënuar dhe nuk kanë ku të ankohen”, tha Zeqiri.

Kurse Betim Osmani, kandidat për Mitrovicën e Veriut, nga Iniciativa Qytetare Mitrovica, në emisionin “Info plus”, tha se beson që procesi i zgjedhjeve do të shkojë mirë.

“Mitrovica është më specifike, më e lehtë se tre qytete tjera, për mbajtjen e zgjedhjeve, kemi raporte më të mira në mes të gjitha etnive dhe besoj se gjithçka do të shkon mirë”, tha Osmani

Sipas tij, Mitrovica e Veriut dhe tri komunat tjera në veri të vendit, janë neglizhuar në këto 24 vite pas lufte.

“Nuk është investuar asgjë edhe pse kanë folur shumë. Nxënësit në veri të Mitrovicës ende mësojnë në kontejner, spitali në veri të Mitrovicës punon vetëm për serbë. Lista Serbe e ka ngulfatur komunitetin e vet. Ne si Iniciativë e qytetarëve jemi multietnik: shqiptarë, boshnjakë kemi lënë vende në lista edhe për komunitetin serb”, tha Osmani.

Ai pohoi se kanë takime me të gjitha etnitë në veri, dhe se i kanë shprehur brengat e tyre edhe tek Avokati i popullit.


MË SHUME NGA Lajme