Në shkolla ende lexohen librat që janë lexuar viteve `70, `80 e `90|Video
Valbona Tahiri / RTK
Në shkollat e Kosovës sistemi arsimor zhvillohet mbi bazën e kurrikulës së re arsimor, por një gjë e tillë nuk realizohet edhe për lektyrat shkollore. Lista e lektyrave shkollore edhe në vitin 2023 vazhdon të jetë e ngjashme me ato të cilat lektyra, janë lexuar përgjatë viteve të 70’, 80’ e 90’.
Këshilli i Prindërve të Kosovës dhe organizata joqeveritare të cilat merren me fushën e lexueshmërisë vënë në dukje se një gjendje e tillë, ndikon në irritimin e fëmijëve për lexim.
Drejtuesit e Ministrisë së Arsimit premtojnë rishikim të listave të lekturave shkollore për arsimin parauniversitar. Është viti 2023. Përveç zhvillimeve të teknologjisë, kultura e dëshira e leximit te gjeneratat e reja po atakohet edhe nga realitetet tjera.
“Tregime për kecin bardhosh”, “Shtëpia ime ka sy”, “Luli i vocërr”, “Gu, gu, pici gu”, janë vetëm disa nga librat, të cilat vazhdojnë të lexohen edhe sot nga fëmijët si lektyra të obliguara shkollore, e të cilat janë lexuar edhe përgjatë viteve të 70', 80’ e 90’ nga nxënësit e asaj kohe.
“…kryesisht janë ato lektyra që ishin edhe më përpara Ali Podrimja, Ndre Mjeda…”,shprehet Mirsad Krasniqi – librashitës
Lista e cila pasqyrohet nëpër shkolla si lektyra shkollore është e përpiluar nga mësimdhënësit.
“...fëmijët sot më shumë tërhiqen nga botimet e reja, për shkak të ngjyrave, të ilustrimeve që i kanë...”, thotë Shqipe Loshi – Bujari – mësuese.
“...kam dëshirë me i lexua sipas dëshirës, me i përzgjedhë librat të cilat mua më pëlqejnë, e jo me qenë të definuar nga arsimtarët...”,tregon Eurisa Sopjani - nxënëse e klasës 9.
Pavarësisht realizimit të sistemit arsimor në Kosovë tani e një dekadë mbi bazën e një kurrikule të re arsimore, lista e lektyrave shkollore nuk është rishikuar asnjëherë.
Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci thotë se janë në fazën fillestare të rishikimit të listave të lektyrave për nxënësit.
“Jemi në fazë fillestare të rishikimit të listës së lektyrave, jo për të përjashtuar ato që janë lexuar në të kaluarën sepse natyrisht ka vepra me shumë vlerë të rilindësve dhe të tjerëve të cilat do të vazhdojnë të mbesin pjesë e listës së lektyrave shkollore...”, tha Nagvaci.
Drejtues të organizatës jo qeveritare ETEA kërkojnë që nxënësit të lihen të lirë në përzgjedhjen e leximit të librave .
“Mund të bëjmë një gabim të madh që librat i prezantojmë si diçka humbje kohe, një proces i cili është i mundimshëm por ta...”, thotë Agon Ahmeti – ETEA.
Andaj deri në një përpilim të listës së re dhe sugjerimeve nga ana e mësimdhënësve për lektura shkollore me tema të kohës dhe përkatëse me moshën e fëmijëve, nxënësit do të vazhdojnë që kulturën e leximit ta kenë të kufizuar në zhvillim me literaturën e njëjtë të cilën e kanë lexuar edhe prindërit e tyre.























