Kurti: Beteja e Koshares i përbashkoi fizikisht shqiptarët
BKT
Lajme

Kurti: Beteja e Koshares i përbashkoi fizikisht shqiptarët

B. H. / RTKlive

Kryeministri Albin Kurti nëpërmjet një shkrimi e ka kujtuar Betejën e Koshares, duke e vlerësuar atë si një nga më të mëdhatë dhe më të rëndësishmet në luftën tonë për liri dhe si panoramë të të gjitha betejave të UÇK-së.

“Në historinë e luftës për çlirimin e Kosovës, Beteja e Koshares mund të shihet edhe si një panoramë e të gjitha betejave, te e cila mund të lexohen të përbashkuara karakteristikat e të dyja palëve ndërluftuese. Atyre të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që në betejën për çlirimin e Kosovës nga Serbia, u ndihmua edhe nga ushtarët vëllezër prej Shqipërisë, si dhe e cila me luftën e saj të drejtë për liri, fitoi edhe përkrahjen e vullnetarëve të huaj në këtë rast, por mbi të gjitha, të aleancës së NATO-s, që përshpejtoi çlirimin e plotë të Kosovës. Në anën tjetër, atyre që po luftonin në një betejë të padrejtë dhe për një tokë që s’ishte as nuk mbeti e tyrja, forcave serbe për të cilët, Beteja e Koshares ishte ferri mbi tokë”, ka theksuar Kurti.

Tutje i pari i ekzekutivit ka thënë se bashkë me përmasat e saj në luftime, trupa dhe shtrirje territoriale ‘Beteja e Koshares është një nga më të mëdhatë dhe më të rëndësishmet në luftën tonë për liri’.

“Beteja e Koshares i ka garantuar Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës një nga meritat më të veçanta të luftës, atë të thyerjes së kufirit mes Republikës së Shqipërisë dhe Jugosllavisë, të vendosur më 1913 dhe të rivendosur disa herë ndër vite, që i kishte mbajtur të ndarë shqiptarët për gati një shekull. Qysh atë kohë lufte, kjo e lehtësoi kalimin e armatimeve dhe të trupave vullnetare të UÇK-së nga territori i Republikës së Shqipërisë drejt Kosovës. Kurse pas përfundimit të saj njëkohshëm me vetë luftën, kjo betejë i përbashkoi fizikisht shqiptarët”, ka shtuar Kurti.

Tutje kryeministri ka thënë se mes nderimeve për dëshmorët e lirisë, “sot themi lavdi për dëshmorët e rënë në luftimet e Betejës së Koshares si dhe nderime atyre të plagosurve që nga atëherë e deri sot kanë bartur plagët e luftës për lirinë e Kosovës. Kujtime e histori, nderime dhe krenari!”

 


MË SHUME NGA Lajme