Haradinaj: Në qeverisjen Kurti qytetari është varfëruar më shumë
RTKlive
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka nxjerrë disa shifra, përmes të të cilave shpërfaqet, siç u shpreh ai, mashtrimi i Qeverisë së Kosovës e drejtuar nga kryeministri Albin Kurti.
“Janë të rralla rastet kur në kohë krize, ekonomike, sociale e shëndetësore, shtetit t’i teprojnë para, ose edhe të mos i mbledh as të hyrat e parapara për buxhetin e vet. Kështu p.sh. qeveria ka paraparë që për vitin 2022 t’i shpenzojë rreth 3 miliardë e 159 milionë euro, por i ka shpenzuar vetëm 2 miliardë e 625 milionë, d.m.th. i kanë tepruar hiç më pak se 533 milionë e 862 mijë euro, pjesa më e madhe prej të cilave në investimet kapitale”, ka shkruar Haradinaj në llogarinë e tij në Facebook.
Ai ka shtuar se 478 milionë të taksapaguesve nuk u janë kthyer atyre, por janë ruajtur në “bunkerin financiar” të qeverisë dhe kjo në kohën më të keqe.
“Për dy vjet kësaj qeverie i kanë mbetur të pashfrytëzuara 478 milionë, vetëm nga investimet kapitale. Kjo d.m.th. se është investuar më pak, është punuar më pak, është fituar më pak. Gjithçka më pak, vetëm se qytetari është varfëruar më shumë”, sqaroi Haradinaj.
Ai më tej vuri në pah disa shifra, siç u shpreh ai, pagesat ndëshkimore, që arrijnë shumën e 24 milionë eurove, si dhe shuma të tjera që nuk kanë sjellë ndonjë profit shtetit.
“Për të qenë tabloja edhe më e zezë, prej këtyre 422 milionëve të investimeve kapitale, rreth 24 milionë janë pagesa ndëshkimore pa kurrfarë përfitimi, 88 milionë avanse për punë që as që kanë filluar, 16 milionë për mirëmbajtje, 17 për ndërtesa administrative e kështu me radhë... Dmth rreth gjysma e kësaj shume (diku rreth 210 milionë) të investimeve kapitale, janë sikur të mos kishin ndodhur fare, sepse s’kanë pasur asnjë efekt në zhvillimin ekonomik”, është shprehur Haradinaj.
Ai u shpreh kritik edhe ndaj punësimit, që, siç e vlerësoi ai, qe propagandë, si dhe në grumbullimin e buxhetit, etj.
“Ka pasur propagandë të tmerrshme edhe në fushën e punësimit. Njëri thoshte se janë punësuar mbi 20 mijë persona e tjetri ia kalonte...”
Për të gjitha shifrat e ofruara, Haradinaj, u shpreh se i ka marrë nga të dhënat zyrtare të Qeverisë.
“Krejt këto që i paraqita më sipër, janë nga të dhënat zyrtare të Qeverisë, sepse e vërteta e plotë do të dalë vetëm pas raportit të Auditorit Gjeneral për buxhetin e vitit 2022 dhe ajo ka mundësi të dalë edhe më e hidhur”, ka përfunduar Haradinaj.























