Marsh në mbështetje të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës
BKT
Foto: Arlinda Sejda/RTK
Lajme

Marsh në mbështetje të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës

Arlina Sejda/RTK

Përfaqësuese të shoqatave të grave në Kosovë dhe ato të institucioneve vendore kanë marshuar të premten në Prishtinë, në mbështetje të të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë. Ky marsh i organizuar nga Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës, bashkë me Zyrën e Presidentes së Republikës së Kosovës dhe organizatat anëtare të Platformës “Bëhu Zëri Im” kanë kërkuar mbështetje për të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës.

Ky marsh u organizua me rastin e zyrtarizmit të 14 Prillit, si Dita e të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Në këtë marsh morën pjesë ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi, e mbijetuara e dhunës seksuale Vasfije Krasniqi, si dhe personalitet të tjera dhe nxënës të shkollave. Marshi ka filluar nga sheshi Ibrahim Rugova deri te monumenti “Heroinat”.

Feride Rushiti nga shoqëria civile kërkoi nga të mbijetuarit dhe familjarët e tyre që t’i kërkojnë të drejtat e tyre që ju garantohen me ligj.

Ministra Haxhiu premtoi mbështetje institucionale për viktimat e dhunës, derisa tha se duhet angazhim i përbashkët për t'i dhënë fund dhunës seksuale në të gjitha format. Ajo po ashtu tha se në Kuvend është proceduar Projektligji që dokumenton krimet e luftës. "Po punojmë që kriminelët, të cilët nuk e kanë marrë dënimin e merituar, t'i mbajmë përgjegjës për krimet", tha Haxhiu. 

E mbijetuara e dhunës seksuale Vasfije Kraniqi tha se 14 prilli për shumkë është vetëm një datë ndërsa për të, ajo tha se është dita më e keqe e jetës së saj. Megjithatë ajo tha se kjo ditë duhet t’u shërbej të gjitha viktimave të dhunës që me forcë, guxim e kurajo t’i tregojnë gjithë botës se çka ka bërë Serbia në Kosovë gjatë luftës 1998-1999.


MË SHUME NGA Lajme