Java e dytë e gjykimit ndaj ish-udhëheqësve të UÇK-së
BKT
Lajme

Java e dytë e gjykimit ndaj ish-udhëheqësve të UÇK-së

RTK

Dëshmitarja e parë në gjykimin ndaj Thaçit dhe të tjerëve e ka përfunduar dëshminë e saj, pasi u dëgjua për më shumë se tri ditë, me seanca private dhe të redaktuara.

Para se të përfundonte dëshmia e saj, Trupi Gjykues ka pranuar mocionin e mbrojtjes së Rexhep Selimit për mospranimin si provë të një pjese të dëshmisë, për provat që janë jashtë kuadrit kohor të ngjarjeve të paraqitura në aktakuzë.

Pas një pauze, në gjykatore doli dëshmitari i dytë i Prokurorisë, gjithashtu i mbrojtur, identiteti i të cilit nuk u bë i ditur për publikun, por ky i fundit e pranoi se ka qenë edhe është ende anëtar i Lidhjes  Demokratike të Kosovës.

Ai ka folur për strukturën organizative të LDK-së në Malishevë dhe ka treguar se UÇK-së i është bashkuar pas vrasjes së familjes Jashari. Ndërsa kur foli për daljen e parë publike të UÇK- së, ai tha se ka qenë prezent, bashkë me anëtarë të tjerë të partisë së tij.

 Ai po ashtu ka thënë se Drejtoria Politike e UÇK-së në Malishevë kishte ushtruar presion që LDK ta pushojë aktivitetin e saj.

I njëjti dëshmitar pritet të dëgjohet edhe në seancën e nesërme.

Ndërkohë, sot trupi gjykues ka miratuar kërkesën e mbrojtjes së ish-presidentit Hashim Thaçi, të mbështetur nga mbrojtja e Selimit dhe Krasniqit, për zgjatje të afatit për përgjigje nga ana e mbrojtjes deri më 24 prill, ndaj mocionit të Prokurorisë për pranimin e deklaratave të të akuzuarve.

Në këtë seancë po ashtu u dorëzuan dy materiale të rishikuara me përkthime adekuate si prova materiale nga pala mbrojtëse, të cilat trupi gjykues i pranoi pa kundërshtime.


MË SHUME NGA Lajme