Kurti kritikon prokurorinë, po vepron në mënyrë selektive
RTKlive
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti sot në Kuvendin e Kosovës, ka folur edhe për arrestimin e drejtorit të KEK-ut, Nagip Krasniqit.
Ai tha se me qeverisjen e tij nuk ka pazare. “Është e vërtetë që pati një gëzim opozitar për arrestimin e të KEK-ut, kryeshefit Nagip Krasniqi, mirëpo ky është fakt i opozitës, nuk është fakt i çështjes. Ne e dimë që ka pasur shumë kryeshefa në KEK, ka pasur keqpërdorime marramendëse, mirëpo asnjëherë nuk janë trajtuar nga sistemi i drejtësisë përkatësisht nga prokuroria”, tha Kurti.
Kurti vlerësoi se në Kuvend Krasniqit, po i bëhet gjyq. “Është e vërtetë që dje u arrestua kryeshefi i KEK-ut Nagip Krasniqi. Ai është në ndalje për 48 orë”, tha ai.
Shefi i ekzekutivit, kritikoi prokurorin e Kosovës. “Unë nuk kam dyshim që në prokurorinë e shtetit ekziston një disponim politik negativ ndaj qeverisjes sonë, ndaj pushtetit të ri të dalë nga zgjedhjet e shkurtit. Kjo lidhet më shumë se me askënd tjetër me figurën e Blerim Isufaj. Bëhet fjalë për një prokuror që është i mirënjohur që rastin vrasjes së ish kryeshefi të AKP-së Dino Asanaj e kategorizoi në vetëvrasje ndërsa vetëvrasjen e Hamdi Sopës e shndërroi në vrasje. Njëkohësisht bëhet fajlë si kryeprokuror që asnjë rast nuk e ka të fituar në gjykata dhe pikërisht ky prokuror do të bëhet kryeprokuror, përkundër vullnetit të presidentes të Rpeublikës, kryeparlamentarit dhe kryeministrit. Është siklet i madh për tre krerët e shtetit kur drejtësia lëngon pikërisht për shkak se kemi një prokurori që nganjëherë s’don nuk do e nganjëherë nuk din e shpesh të dyja””, theksoi ai.
Kryeministri Albin Kurti tha se shpesh ka kritikuar Prokurorinë, për shkak se rastet e krimeve të luftës, ka qenë pasive. Ai tha se e ka bërë për hir të luftës, viktimave dhe të ardhmes së vendin.
Sipas tij AKI ka dërguar të prokurori për veriun e Kosovës, fakte dhe sipas tij ajo nuk vepron asgjë deri tani.
Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Abelard Tahiri, kërkoi nga ministrja e Ekonomisë t’i njoftojë deputetët se për çfarë vlerash financiare dyshohet që ka abuzuar drejtori i KEK-ut.
Kurse Hykmete Bajrami, deputete nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), tha se skandali i Nagip Krasniqit e bën përgjegjëse drejtpërdrejt Qeverinë. “Për shkak se Nagip Krasniqi është eksponent i Lëvizjes Vetëvendosje, është personi që e ka shkruar programin për energji për këtë parti, si kryesues i Komisionit për energjinë për Lëvizjen Vetëvendosje, ai e ka draftuar Strategjinë e Energjisë. Ai ka bërë qe 15 muaj, të merren vendime në këtë Kuvend, të jemi në masa emergjente në mënyrë që të importojë energji dhe të bëhen tenderë të negociuar”, theksoi ajo.
Ndërkaq kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, kërkoi nga Qeveria që të ndërmarrë masa ndaj Nagip Krasniqit.
“Kur dikush prej jush nuk ec si duhet, duhet t’ia tregoni vendin. Nuk besoj që është besnikëri të marrësh vendime të gabuara kundër interesit të vendit. E lus kryeministrin ta marrë anën e ligjit dhe drejtësisë”, tha ai.























